Nga: Vjollca Kongjoni*

TIRANË- Fëmijët e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi” në kryeqytetet kanë tashmë një shkollë me pamje të re falë investimeve të donatorëve. Një prej tyre është edhe biznesmeni, Bernard Martini, i cili ka kontribuar përmes firmës Skela Martini për rikonstruksionin e fasadës së njërës prej godinave të shkollës së këtyre fëmijëve me aftësi të kufizuara, rindërtimin e mensës dhe kuzhinës si dhe rinovimin e terreneve sportive.

“Bota dhe biznesi është një garë e pareshtur ku aspirata e çdo njërit është të jetë sa më i suksesshëm në jetë, por unë mendoj se gara më e madhe është ajo që ndihmon ata të cilët nuk i kanë mundësitë dhe aftësitë e nevojshme për punë. Prirem nga mendimi se zhvillimi i një shoqërie nuk tregohet se sa shumë i përhapur ajo njerëzit e sukesshëm por nga ndjeshmëria për njerëzit në nevojë”,- tha Bernard Martini.

Për drejtorin e këtij institucioni shumë gjëra janë bërë për mirë por kjo shkollë ka edhe shumë problematika të tjera të cilat ua ka renditur ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj, të cilët ishin aty për të shprehur mirënjohjen për investitorët që kontribuan në përmirësimin e infrastrukturës së shkollës.

“Shumë gjëra kanë lëvizur për mirë por problematikat e institucionit tonë janë ende të mëdha, fillojnë me nevojën e rikonstruksionin e plotë të shkollës për ti dhënë funksionalitet modern, plotësimin gradual të strukturës organike për realizimin e shërbimeve të reja si ai i fizioterapisë, apo fuqizimi i mëtejshëm i shërbimit social, psikologjisë dhe ngritja e atelieve të ndryshme që nxënësit të fitojnë shprehi pune e integruese”,- shtoi Martini.

Kryebashkiaku Veliaj kujtoi edhe njëherë pamundësinë që ka bashkia për të ndryshuar gjërat në katër muaj, kjo për borxhet e trashëguara, por deklaroi se rikonstruksionet e shkollave për fëmijët me aftësi të kufizuara janë pjesë e programit në buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Në ditë të para të vështira të bashkisë së Tiranës në pamundësi për të rregulluar të gjitha gjërat na vjen mirë që na gjenden pranë njërëz bujarë. Bashkia ka trashëguar një borxh prej 4 miliardë lekë dhe kjo na pengon që të rikuperohemi në vetëm në katër muaj. Në planin tonë të buxhetit për vitin e ardhshëm rikonstruksioni i shkollave për fëmijët me aftësi të kufizuara është pjesë e projektit”,- tha ministri Veliaj.

Ndërsa ministrja e arsimit Nikolla premtoi për një komunikim të ri nga mësuesit e shkollave speciale për një trajtim ndryshe të fëmijëve me aftësi të kufizuara.

“Dëshiroj të shpreh angazhimin tonë të plot për vëmendje jo vetëm tek investimet, por ajo që është më e rëndësishmja tek ngjizja e një komunikimi të ri nga stafet pedagogjike të këtyre shkollave speciale, për të trajtuar çdo nxënës me dashuri dhe për të qenë krahë prindërve për të orientuar realisht projekte ndihme për secilin nga këta fëmijë me aftësi ndryshe”,- tha ministrja Nikolla.
Shkolla “Luigj Gurakuqi” për fëmijët më aftësi të kufizuara ka rreth 100 nxënës.

(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: