TIRANE- Ky vit i ri arsimor i gjeti vogëlushët e Njësisë 2 me kopshtin e rikonstruktuar dhe me infrastrukturë moderne. Pas rikonstruksionit të çerdheve dhe të rindërtimit të shkollës “Kosova”, Bashkia e Tiranës rikonstruktoi edhe “Kopshtin 18” në Rr.“Mihal Grameno”, i cili ofron jo vetëm kushte më të mira për fëmijët, por njëkohësisht ka ulur edhe ngarkesën në kopshtet e tjera përreth tij.

“Jam shumë entuziast sot që hapet “Kopshti 18”, një kopësht jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua sepse dikur ka qenë edhe kopshti im. Jam shumë i lumtur që kopshti jo vetëm është rregulluar, por i janë shtuar hapësirat me disa dhjetëra metra katrorë. Do të thotë që kemi shtuar grupet, kemi kaluar nga një kopsht me 150 fëmijë në një kopsht që tani ka thuajse 300 fëmijë”, tha Veliaj.

Ai tha se falë investimeve të realizuara nga Bashkia e Tiranës, kopshtet publike ofrojnë kushte shumë herë më të mira, duke bërë që edhe kërkesa e prindërve të jetë më e lartë.

“E di që këmbëngulja e prindërve për t’i çuar fëmijët në kopshtet publike është shumë e madhe. Për ne është kompliment. Do të thotë se kopshtet publike e kanë rritur aq shumë cilësinë, saqë për një vend në kopshtet publike kemi një pafundësi kërkesash. Megjithatë, duke qenë se kopshtet, edhe në administrim do t’i kalojnë Bashkisë së Tiranës, pra jo vetëm si ndërtim, por edhe si furnizim, besoj që edhe ne do të përgatitemi që të përballojmë më mirë nevojat që ka Tirana”, tha Veliaj, i cili falenderoi donatorët për kontributin që kanë dhënë për përmirësimin e infrastrukturës.

“Kopshti 18” është dëshmi e asaj që Bashkia e Tiranës ka bërë dhe po bën gjatë këtyre 3 viteve për të ofruar një shërbim cilësor për rritjen, edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Veliaj dha lajmin e mirë se shumë shpejt do të jetë gati edhe shkolla “Mihal Grameno”, e cila është në proces rikonstruktimi.

“Kopshti 18” ndodhet në Rr. “Mihal Grameno” dhe godina e tij ishte plotësisht e amortizuar. Me investimin e Bashkisë së Tiranës është ndërtuar edhe një shtesë që do të bëjë të mundur akomodimin e dy grupeve të reja fëmijësh. Gjithashtu, është ndërtuar një dhomë e posaçme për kaldajën, si dhe është bërë riorganizimi i ambienteve të brendshme, ndërkohë që mjediset e fjetjes dhe të lojës janë shtruar me parket. Ndërhyrje ka pësuar edhe shtresa e tarracës, si dhe është realizuar ngrohja me kaldajë me peletë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb