726 nxënës të shkollës “Ibrahim Muça” në Librazhd tashmë kanë në dispozicion të tyre një palestër me të gjitha kushtet bashkëkohore. E konceptuar si një minipallat sporti, kjo palestër ka hapësirat e mjaftueshme dhe kushtet për ushtrimin e të gjithë disiplinave sportive.

Por nxënësit nuk do të jenë përfituesit e vetëm, kjo hapësirë do t’i shërbejë edhe komunitetit dhe sidomos do të ndikojë në rikrijimin e skuadrave të qytetit.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla së bashku dhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Evis Kushi, Kryetarin e Bashkisë Kastriot Gurra dhe me Presidentin e Federatës së Volejbollit Erlind Pëllumbi inspektuan përfundimin e punimeve, ndërsa vunë theksin tek rëndësia e sporteve për të rinjtë.

“Prej shumë kohësh qytetarët dhe të rinjtë veçanërisht e kanë kërkuar këtë sallë të sporteve me dorë, tashmë e bëmë realitet.

Me Presidentin e Federatës kemi diskutuar për ta çertifikuar sipas standardeve më të mira dhe për të zhvilluar, jo vetëm aktivitete kombëtare, por edhe ndërkombëtare.  Kjo sallë sporti është e atashuar pranë shkollës së mesme “Ibrahim Muça” këtu në Librazhd, ku edhe unë jam krenar të kem qenë nxënës i saj.

Është një premtim dhe angazhim i imi i mbajtur për t’i dhënë kësaj shkolle vendin që meriton. Edhe zhvendosja e shkollës këtu kishte të bënte pikërisht me ndërtimin e këtij kompleksi.

Edhe pse jemi në kushte të vështira pandemie, gjërat do t’i kthehen normalitetit dhe sportet për të rinjtë janë domosdoshmëri. Qëllimi ynë është t’i heqim të rinjtë nga veset dhe t’i kthejmë tek sportet”, deklaroi Balla.

Ndërsa ministrja Kushi u interesua për ecurinë e procesit mësimor në këto kohë pandemie dhe respektimin e rregullave teksa premtoi vazhdimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Bashkinë e Librazhdit për të investuar në shkolla të tjera ku ka nevojë. Edhe për kryetarin e Bashkisë, Kastriot Gurra, pas plotësimit të këtij angazhimi, fokusi përqëndrohet tek shkollat e tjera të cilat kanë nevojë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb