Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Kastriot Gurra inspektuan ecurinë e punimeve të qendrës shëndetësore të fshatit Togë, e cila ndodhej në një gjendje tërësisht të shkatërruar.

Në fjalën e tij Balla bëri apel për më shumë ndërgjegjësim sa i përket masave mbrojtëse kundër COVID-19, ndërsa theksoi se brenda një periudhe të shkurtër kemi shëruar një plagë 30 vjeçare në shërbimin shëndetësor parësor.

“Çdo qytetar kontaktin e parë me sistemin shëndetësor e ka pikërisht në qendrën e tij. Por po ashtu, kujdesi për nënën dhe fëmijën dhe vaksinimi gjithashtu bëhen në këtë qendër shëndetësore.

Shpresojmë shumë shpejt të zbulohet dhe vaksina e COVID-19 dhe siç ka premtuar Kryeministri edhe kjo vaksinë do të jepet falas për personat vulnerabël”, deklaroi Balla.

Balla gjatë takimit gjeti rastin të falenderojë frontin e parë të luftës ndaj COVID-19, bluzat e bardha.

“Ju jeni fronti i parë i luftës. Ata politikanë që e gjejnë fajin tek bluzat e bardha janë politikanë të së keqes. Ju meritoni të gjithë respektin për gjithçka bëni, Falemindeti!”

Qendra Shëndetësore e fshatit Togëz ju shërben rreth një mijë banorëve dhe shumë shpejt, me përfundimin e punimeve ajo do të ofrojë të gjitha standardet, njësoj si qendrat shëndetësore në kryeqytet.

Në Librazhd në 3 vite janë rikonstruktuar totalisht 6 qendra shëndetësore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb