Rikthehen në skenë pas shumë kohësh vlonjatët e akuzuar si pjesë e një prej grupeve më të fuqishme të trafikut të kanabisit në vendin tonë.

Ndonëse ata u hetuan dhe u gjykuan në Shqipëri dhe në Itali, bëhet me dije se dy djemtë e familjes Habilaj, të cilët rezultojnë të jenë edhe kushërinjtë e ish-ministrit të Brendshëm, të dënuar dhe të burgosur tashmë, kërkojnë që t’u kthehet pasuria që iu ka konfiskuar Prokuroria e Posaçme.

Sipas të dhënave, mes tyre gjendet edhe “Audi”, për të cilin që në krye të herës nisën dyshimet dhe hetimet që Habiljat po kryenin trafik droge me mjetet e ministrit të Brendshëm, i cili mori drejtimin e atij dikasteri në vitin 2013.

Kështu anëtarët e fisit të Habilajve, të fajësuar si pjesëtarë të një grupi kriminal të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali, e kanë zhvendosur në Gjykatën e Lartë betejën me SPAK për të rimarrë pasuritë e konfiskuara.

Përmes një rekursi të dërguar në Gjykatën e Lartë, Moisi dhe Florian Habilaj kërkojnë prishjen e vendimit të Apelit të Posaçëm të qershorit 2022. Ky vendim la në fuqi Shkallën e Parë për kalim në llogaritë shtetit të 9 pasurive të tyre dhe familjarëve, me një vlerë prej gati 80 milionë lekë të rinj në total.

Pasuritë që kërkojnë të rimarrin Habilajt janë 2 apartamente, një garazh 514 m2, një njësi tregtare, si edhe 5 automjete të markave të ndryshme, mes të cilave edhe Audi A8, i cili përdorej nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Pjesëtarët e grupit të Habilajve, u hetuan nga ish-Prokuroria për Krimet e Rënda, në të njëjtin dosje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pas veçimit të çështjeve, ata u fajësuan nga Gjykata e Posaçme në maj të vitit 2021 me 37 vite burg në total për akuzën e “trafikut të narkotikëve” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.

Dënimi më i rëndë, me 10 vite burg në mungesë, u dha për Moisi Habilajn, i akuzuar si drejtues i grupit. Paralelisht, ata u dënuan me burg edhe nga Gjykata e Katanias në Itali, për trafik të narkotikëve./Panorama/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: