TIRANË

Spitale të tejmbushura, shtretër të zënë dhe një numër i shtuar urgjencash. Kjo është panorama në spitalet COVID në Tiranë.

Gazetari Erjon Skëndaj raportoi për “BalkanWeb” se tek spitali COVID 2 ose ndryshe Sanatoriumi janë 220 persona me COVID-19 të shtruar dhe nuk ka asnjë shtrat të lirë, ndërsa në urgjencën e sanatoriumit 25 shtretër në total të gjithë të zënë.

“Ka pacientë që kanë ditë që presin një vend të lirë në pavion. Në 24 orë në sanatorium kanë ardhur 27 autoambulanca me të sëmurë nga veriu dhe verilindja e vendit. Në Infektiv 46 urgjenca në 24 orë. Të gjitha rastet që vijnë sot në spital kërkojnë nga 2-3 apo 4 burime oksigjenimi dhe për këtë arsye në dhomat e tyre nuk mund të qëndrojnë më shumë se 3 persona sepse aq burime oksigjeni janë. Pacientët që kërkojnë më shumë oksigjenim marrin oksigjenin dhe të atyre shtretërve që dalin jashtë loje. Në COVID-1-3 dhe 4, marrin trajtim 330 të sëmurë. Totali i kapaciteteve të këtyre spitaleve është 370. E gjithë barra bie mbi spitalin COVID 1 dhe COVID 3.

Ambulancat para Infektivit tregojnë që ka mungesë shtretërish dhe pacientët presin sa të lirohen vende. Janë nxjerrë pacientë që kanë qenë me oksigjenim deri në 10-12 litra për t’i hapur vend pacientëve që janë më rëndë të cilët mbërrijnë kryesisht nga rrethet, por edhe Tirana.
Ka 10 ditë që urgjencat e Tiranës vijnë në Infektiv, për shkak se Sanatoriumi u mbush me shpejtësi të madhe pas datës 15 janar. Skaneri i Sanatoriumit është riparuar prej të premtes në darkë dhe ka hyrë në funksion prej të shtunës. Ajo pajisje që mund të konsiderohet si shpëtuesi i skanerit UPS nuk është vendosur dhe shkëputja e energjisë mund të çojë sërish në dëmtim të skanerit. Situata është e rënduar para Infektivit, ku janë 8 autoambulanca të parkuara”, raportoi Skëndaj nga spitali Infektiv.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb