TIRANE – Alban Hoxha rikthehet në stërvitje me Partizanin. Pas rreth tri javësh mungesë, portieri i të kuqve ka zbritur në fushë dhe i është bashkuar skuadrës në stërvitje. Pas tragjedisë familjare që përjetoi javën e kaluar ku humbi fatkeqësisht bashkëshorten, Hoxha ka rinisur përgatitjet me ekipin. Ai është pritur me shumë përzemërsi nga stafi teknik dhe lojtarët, të cilët i kanë dhënë kurajë për vazhdimësinë.
Rikthimi
Dy ditë përpara ndeshjes me Skënderbeun në Korçë më 8 nëntor, Hoxha nuk u paraqit në stërvitje me të kuqtë për shkak të problemeve të bashkëshortes. Portieri qëndroi larg skuadrës dhe u rikthye në stërvitje vetëm një ditë gjatë ndërprerjes së kampionatit për shkak të ndeshjeve të Kombëtares. Portieri ka munguar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, ndaj Skënderbeut dhe ndaj Kukësit. Gjithashtu, ai nuk ka qenë i gatshëm as në sfidën e Kupës së Shqipërisë ndaj Lushnjës. Dje, gardiani i është bashkuar ekipit në seancën stërvitore që Partizani zhvilloi në “Tirana Internacional” në Pezë. Në aspektin sportiv, Partizanit i rikthehet garancia në portë. Deri në javën e 11-të kur në portë është aktivizuar Hoxha, Partizani kishte pësuar vetëm dy gola, ndërsa në dy takimet e fundit pësoi tre. Në seancën e djeshme, Hoxha ka zhvilluar disa vrapime rreth fushës për të kapur formën e nevojshme. Më pas ka punuar me trajnerin e portierëve, Perlat Musta. Në klub besohet shumë se ai do të kapë formën e duhur deri në fundin e javës dhe sipas të gjitha gjasave, do të jetë ai që do të mbrojë portën e kuqe në transfertën e Durrësit ndaj Teutës.
Klubi “Ajo që ka rënë në sy në seancën e djeshme ka qenë prania e gardianit të 15 herë kampionëve të Shqipërisë, Alban Hoxha, i cili i është bashkuar skuadrës. Një lajm ky i shumëpritur nga e gjithë familja e kuqe dhe tifozët”. Ky është mesazhi me të cilin klubi i kuq e ka pritur rikthimin e Hoxhës në stërvitje. Ky njoftim është bërë publik dje nëpërmjet zyrës për shtyp pranë Partizanit. Aktualisht, “demat” renditen në vendin e 3-të me 27 pikë.
(er.nu/panoramasport/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: