TIRANE – Gjykata e Lartë ka vendosur të shtyjë për në 21 dhjetor nisjen e gjykimit për Tom Doshin dhe Mark Frrokun dhe Durim Bamin. Në seancën e sotme ishte i pranishëm Tom Doshi dhe avokati i Durim Bamit, por mungonte Mark Frroku. Për këtë arsye trupa gjykuese vendosi ta shtyjë seancën për në datën 21 dhjetor.

Deputeti i Shkodrës Tom Doshi, ish-miku i tij, deputeti i dorëhequr kristiandemokrat Mark Frroku dhe Durim Bami, ishin thirrur për tu ulur sot në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Lartë.
Ndaj të treve, Prokuroria e Përgjithshme ka ngritur akuzën e “kallëzimit të rremë”, lidhur me denoncimin që bëri Tom Doshi për një skenar për vrasjen e tij dhe deputetit Mhill Fufi. Gjithçka nisi nga një video ku Durim Bami, një personazh fort i njohur për drejtësinë shqiptare, shfaqej duke rrëfyer një skenar për vrasjen e Doshit dhe Fufit. Në video ai i rrëfente Doshit se ishte paguar në shumën e 500 mijë eurove për ta vrarë. Bami fliste me emra konkretë urdhëruesish e ndërmjetësish, ndërsa theksonte se nuk e kishte vënë në jetë planin, pasi ishte penduar. Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi menjëherë hetimet.

Në pranga përfundoi Durim Bami. Në kohë rekord, u thirrën për të dëshmuar kryeministri i vendit Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta, ky i fundit i akuzuar nga Doshi si urdhërues i skenarit të krimit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, e mjaft politikanë të tjerë si dhe emra të njohur të botës së biznesit. Ndonëse Doshi këmbëngulte për skenarin dhe kërkoi nga prokuroria marrjen e disa provave, në fakt, të gjitha kërkesat e tij u refuzuan. Nga Krimet e Rënda, çështja “Doshi” kaloi për kompetencë në Prokurorinë e Përgjithshme. Nuk vonoi shumë dhe Prokurori i Përgjithshëm kërkoi autorizim për arrestim për deputetët Doshi e Frroku. Të dy u vunë në pranga dhe u dërguan më pas me vendim të Gjykatës së Lartë në arrest shtëpie. Deputeti i Shkodrës Doshi do të dilte në liri pas një muaji. Ndërsa, Mark Frroku do të dërgohej në qeli, pasi ndaj tij u caktua një masë sigurie “arrest me burg”, për akuzën e vrasjes në Belgjikë në dëm të Aleksandër Kurtit.

Në kohën kur dy deputetët përballeshin me drejtësinë duke këmbëngulur për liri, Prokuroria e Përgjithshme dorëzoi në gjykatën supreme dosjen penale ndaj tyre. Në dosjen e prokurorisë thuhet se këmbëngul se videoja, ku flitej për një skenar për vrasjen e Tom Doshit, është një provë e fabrikuar nga të pandehurit, me qëllim fillimin e paligjshëm të ndjekjes penale ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka dalë në konkluzionin se motivi i krijimit të provës (videos) që u pasua me akuzat e forta që hodhi Tom Doshi se kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kishte porositur vrasjen e tij, janë politike.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: