Është rikthyer sërish Covid-19 në qytetin e Beratit. Vetëm sot janë regjistruar 2 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në 8 numrin e rasteve aktive në Berat. Njëri prej rasteve rezulton të jetë një i burgosur në IEPV-në e Beratit. I burgosuri ndodhej prej disa muajsh në banesën e tij pas daljes në liri për shkak të pandemisë dhe vetëm 2 ditë më parë ai ishte rikthyer në burg për të vazhduar vuajtjen e dënimit.

Natën e parë të rikthimit në ambientet e burgut të Beratit ai ka shfaqur shenja këputje dhe ka pasur temperaturë. Pasi janë njoftuar për rastin, mjekët epidemiologë të Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik Berat, kanë kryer tamponin e të burgosurit që ka rezultuar pozitiv.

Kjo ka vënë në alarm gjithë burgun e Beratit por nga DSHP Berat konfirmohet se është herët për t’u testuar punonjësit dhe të burgosurit e IEPV-së Berat, ndërkohë që janë testuar dhe karantinuar në banesë familjarët e tij.

Rasti i dytë është një 45-vjeçare nga qyteti i Beratit, e cila kishte 2 ditë e shtruar në Repartin e Karantinës në Spitalin Rajonal të Beratit, nga ku është transportuar dje në darkë drejt Spitalit Infektiv në Tiranë në gjendje të rëndë. Gruaja kishte disa ditë që kishte shfaqur probleme me frymëmarrjen, kollë dhe temperaturë të lartë. Mjekët epidemiologë në Berat kanë marrë sot 16 tamponë të familjarëve të dy rasteve të reja me Covid-19 dhe po punojnë edhe për gjurmimin e rasteve të tyre të kontaktit, ndërkohë që konfirmohet se janë dezinfektuar edhe banesat e tyre.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb