Pasi preku zemrat e shumë shqiptarëve me rrëfimin e saj, historia e vajzës nga Krraba rikthehet sërish në emisionin ‘Shqiptarët për shqiptarët’.

Të shumta kanë qenë reagimet për rastin e Erjolës, e cila jeton vetëm me babain dhe vëllain e saj Bajramin, 7 vjeç, në kushte të vështira financiare. Ndaj emisioni ‘Shqiptarët për shqiptarët’ ka vendosur ta risjellë sërish si histori, për të nxitur shqiptarët që sadopak të ofrojnë ndihmën e tyre. ‘BalkanWeb’ ju sjell si më poshtë historinë e publikuar një javë më parë.

HISTORIA
Bajrami 7 vjeç dhe Erjola 8, janë dy fëmijë mjaft të zgjuar, që jetojnë në kushte të tejskajshme të mjerimit. “Jetoj me babin, me vëllain, dhe me nusen e xhaxhait të babi, mami jeton në Kosovë, na ka lënë” thotë Erjola. Pjesa më e bukur e ditës së saj është shkolla dhe detyrat që bën pas mësimit. Kur e pyet se çfarë bën babai i saj për të, ajo nuk i përmban lotët “Na blen gjëra babi” thotë e përlotur. I ati Agimi është pika e dobët e Erjolës. “Babi na ka rritur, na ka ushqyer”.

Agimi nuk ka mundësi t‘ua plotësojë kushtet dy fëmijëve të ti j të mitur, as bukën e përditshme. “Kam pasur probleme me nusen, ajo mi mori fëmijët u largua. Pas dy muajsh arrita t’i marr fëmijët e mi. Ishte në një gjendje depresioni. Kam rreth 2 vjet që i mbaj unë fëmijët, vetëm i ushqej se mundësi tjetër nuk kam. Nuk kam mundësi të tjera, të kemi drita, të kenë rroba. Kërkojnë rroba dhe lodra se shikojnë të tjerët, unë nuk e përballoj dot” thotë Agimi. Më tej shton se nuk ka pasur mundësi tu blejë fëmijëve librat e shkollës, “fëmijët më kërkonin librat, lekët i gjeta diku. Librat i bleva pas 4 ditësh, fëmijët u trembën se gjithë nxënësit i kishin librat, vetëm fëmijët e mi shkonin në shkollë pa libra” shprehet i dëshpëruar Agimi. “Blej ushqime me listë, i shlyej në fund të muajit”

Edhe pse fare të vegjël ato nuk i kërkojnë asnjëherë babait me tepër se ç’mund të përballoji ai. “Janë të zgjuar vetë fëmijët nuk kërkojnë gjëra tepër që janë jashtë mundësive” thotë Agimi. “Çokollatat nuk i hamë shumë ngaqë na dhemb barku, vetëm në ditëlindje na ka thënë babi më kërkoni, edhe unë atëherë i kërkoj babit që të na i festojë”.

Erjola ka edhe probleme me shëndetin. “Ka probleme në bark, nuk kam pasur mundësi ta operoj”. Në këtë panoramë mjerimi, iu është gjendur Hajrija, nusja e xhaxhait së Agimit, edhe pse 60 vjeçe ajo përpiqet çdo ditë t’ua lehtësojë sadopak vuajtjet dhe mundimet. “Kam rrit 7 jetimë për vete. Ushqimi është gjithmonë i pakët, në darkë fëmijët kërkojnë të ëmën e tyre. Rri hallë këtu të strukemi tek gjiri yt më thonë. Unë qaj, më keq është se na mungon edhe buka e gojës, kur të kërkon fëmija bukë çfarë ti japësh?” thotë gruaja që është bërë si nënë e dytë për Erjolën dhe Bajramin e vogël. Kushtet e banesës ku banon Erjola dhe Bajrami janë fytyra e vetë varfërisë. Në kushte tepër të vështira jeton familja e Agimit. Ata nuk kanë drita, era dhe shiu futet nga të katërt anët.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb