Kompania më e madhe e prodhimit të naftës në vend, Bankers Petroleum, deklaron se do të shesë deri në 65% të prodhimit të saj brenda vendit. Nafta bruto do të përpunohet në rafineritë e Ballshit dhe të Fierit përmes një marrëveshjeje të arritur me kompaninë IRTC. Kjo do të thotë se rafineria e Ballshit, e cila prej muajsh ka pezulluar aktivitetin do të rinisë operacionet duke bërë të mundur rikthimin në punë të 1,200 punonjësve të saj.

Ky vendim pritet të rrisë ndjeshëm sasinë e naftës së prodhuar në vend dhe të ndikojë jo vetëm në punësim por edhe në uljen e çmimeve të naftës në tregun vendas. Sapo marrëveshja të bëhet efektive, Bankers do të shesë deri në 65% të prodhimit të naftës bruto në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kompania do të marrë garanci pagese në advancë për ngarkesat e naftës bruto. Në përputhje me marrëveshjen, ngarkesat e naftës do të shiten gjatë periudhës 1 tetor 2016- 31 Dhjetor 2017.

Çmimi i naftës, sipas kësaj marrëveshjeje, bazohet në atë të eksportit duke zbritur kostot e transportit dhe tarifat portuale. IRTC do të përpunojë naftën bruto në rafineritë vendase të Fierit dhe Ballshit. Pjesa tjetër e naftës së prodhuar nga Bankers do të vijojë të shitet në tregun e eksportit.

Marrëveshja do të bëhet efektive pasi Bankers të marrë miratimin nga Qeveria Shqiptare për programin e propozuar të shpimit të kompanisë për tremujorin e katërt 2016 dhe pas respektimit të amendamenteve për procedurat ndërmjet kompanisë dhe Albpetrol për tërheqjen e pjesën e prodhimit të naftës së prodhuar në Patos-Marinzës që i përket Albpetrol.
(News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: