Nga: FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE- Një lajm i mirë nga Galeria Kombëtare e Arteve! Ekspozita Ndërkombëtare e Arteve Pamore “Onufri XXI” rikthehet zyrtarisht dhe puna sapo ka filluar. Pas mungesës së tij të parë (në fundvitin e 2014-ës) dhe debateve që e shoqëruan, ‘Onufri’ do të mbahet në periudhën nëntordhjetor të këtij viti. Në organizimin e tij ka disa risi, siç është përzgjedhja e kuratorit me konkurs apo moslejimi më i një kuratori nga stafi i GKA-së. Ndërkaq, pritet që në fund ekspozita të ketë edhe një katalog të sajin, edhe pse për fat të keq buxheti i këtij edicioni sillet te 18 milionë lekë të vjetra, ndërkohë që vite më parë, ky buxhet kapte shifrën e 40- 50 milionë lekëve të vjetra. Paraprakisht mësohet se fituesi do të marrë jo më 5 milionë lekë të vjetra, por 3 milionë të tilla e ndërkaq, pagesa do jetë pak më e lartë seç ishte për kuratorin. Ndërsa në ditët në vijim pritet të ketë të dhëna zyrtare nga institucionet (MK dhe GKA), “GSH” publikon sot të dhënat e detajet e para. NË DETAJE Ka qenë Bordi Artistik i GKA, që në mbledhjen e tij të fundit miratoi kohën e mbajtjes së këtij edicioni, pas miratimit të rregullores së re të kësaj ekspozite nga Ministria e Kulturës (më herët ajo ftoi artistë të jepnin mendime e propozime se si duhet bërë ‘Onufri’). Kjo rregullore duket të jetë edhe risia që erdhi pas kohës ‘për reflektim’ që kërkoi vetë MK, e cila më herët kishte vënë në dyshim shumëçka lidhur me këtë ekspozitë e sidomos me ndikimin e saj. Në rregulloren e re përcaktohet se, Galeria Kombëtare e Arteve do të hapë një konkurs në të cilin gjatë datave 1 prill deri më 4 maj do të presë e më pas do të shqyrtojë propozimet më të mira kuratoriale për organizimin e ekspozitës. Po në maj do të shpallet edhe kuratori apo kuratorja fituese. Për të zgjedhur fituesin është ngritur edhe një strukturë e quajtur Këshilli Organizativ i Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”. Është ky këshill, që përzgjedh më të mirin prej propozimeve për kurimin e ‘Onufrit’ të sivjetshëm. I përbërë nga Suzana Varvarica Kuka dhe Genti Gjikola nga GKA, si dhe Valentina Koçi, Andi Tepelena dhe Ermir Hoxha si specialistë të jashtëm, pesëshja e Këshillit do të ketë në dorë edhe përzgjedhjen e cilësisë së ekspozitës së ardhshme e përtej kësaj edhe atë që ne do të shohim, do të ndjekim, do pëlqejmë apo do kritikojmë.

KONKURS PËR KURATOR
Ministria e Kulturës dhe Galeria Kombëtare e Arteve kanë përcaktuar kushtet e pjesëmarrjes së konkurruesve për kurator të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri XXI”. Kështu, në konkurs kanë të drejtë të marrin pjesë kuratorë me nënshtetësi shqiptare dhe të huaj. Ata duhet të kenë të dokumentuar kurimin e të paktën 2 ekspozitave ndërkombëtare dhe 3 kombëtare dhe të kenë minimumin 7 vjet eksperiencë pune. Kërkohet njëherësh që të kenë botuar ese, artikuj a shkrime mbi artin në revista, katalogë a albume gjatë 5 viteve të fundit. Mënyra e aplikimit të të interesuarve për të konkurruar si kurator është e thjeshtë. Si fillim, duhet të bëhet një kërkesë për të marrë pjesë në këtë konkurrim për kurator drejtuar z. Artan Shabani, drejtor i GKA. Pos kësaj, kërkohet të jetë hartuar edhe koncepti kuratorial dhe një përshkrim se si mendon kuratori të zhvillojë ekspozitën. Bashkangjitur duhet të jetë një CV artistike dhe akademike, si edhe botime, katalogë, revista të ndryshme ku të jenë të botuara shkrimet e konkurruesit. DISA PIKA MBI ‘I’ Në fund, por jo për nga rëndësia, janë vënë edhe disa pika mbi ‘i’. Në dokumentin e shpalljes i janë propozuar Bordit Artistik edhe disa ‘rregulla’ në dukje jo fort të rëndësishme, por në thelb të nevojshme. Është vendosur që: kuratori a kuratorja nuk duhet të jetë punonjës i GKA dhe nuk mund të jetë në të ardhmen anëtar i jurisë së kësaj ekspozite (çka ka ndodhur shpesh; kuratori zgjedh asistentin e vet; si dhe duhet të zbatojë rregulloren e Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri XXI”. “Onufri” e nisi rrugëtimin e tij, pyetja është a ia vlejti ndërprerja? Dhe pse duhej gjithë ai debat që t’i jepej sërish një buxhet modest? A bëhet arti me dy grosh? Dhe ç’art me dy grosh? Nismat e mëdha, e punët e mëdha nuk bëhen vetëm me vullnet, vullneti do mbështetje e mbështetja përkthehet në para, e sidomos kur bëhet fjalë për një institucion kombëtar të artit. Është mëkat të sillesh me një institucion kombëtar e me një ekspozitë ndërkombëtare, siç mund sillesh me ngjarje kulturore’rurale’ jehona e të cilave s’i kalon statuset në rrjetet sociale.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb