Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana në një intervistë për mediat franceze ka deklaruar se do t’i rikthehet futbollit, po kësaj herë jo si futbollist, por si udhëheqës klubi.

“Unë do të filloj një karrierë si udhëheqës i një klubi, që të krijoj aty përvojë për disa vite. Bëhet fjalë për një klub, që nuk është në njërën nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndihem mirë në këtë rol dhe pastaj do të vendos që të shkoj në ndonjë klub më të madh. Unë po synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm në futboll”, tha gjakovari për “La Provence”.

Mes tjerash ai theksoi se ka nisur tratativat për  blerjen e një klubi të ri, por nuk dha asnjë detaj në lidhje me vendin apo emrin e klubit.

“Kam nisur negociatat për blerjen e një klubi, por nuk mund të flas për të ende. Ky është një klub që nuk është pjesë e njërës nga pesë ligat më të mëdha europiane, por do të jetë një vend i mirë për të krijuar përvojë. Më duhet të shoh nëse e pëlqej, nëse ndjehem mirë në këtë rol dhe nëse mund të mendoj të shkoj në një klub më të madh. Më tepër synoj drejtimin sportiv, ose në përgjithësi drejtimin e përgjithshëm. Për të stërvitur (trajner), kurrë nuk më ka tërhequr. Drejtimi, me të vërtetë më intereson mua.”, shtoi ish-kapiteni i kuqezinjve.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb