Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, bëri një rrëfim ndryshe në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24.

Duke u larguar pak nga jeta e zhurmshme e kryeqytetit dhe jeta e vrullshme akademike, Rektori Ruka u rikthye pas në kohë, duke rrëfyer fëmijërinë e tij, të cilën tashmë e ka sjellë edhe në një libër biografik.

Ruka tha se libri është një trastë kujtimesh e mbresash, ndërsa shtoi se shkolla më e pazakontë në jetën e tij, ka qenë pikërisht babai i tij.

“Gjithmonë më mundonte ideja që këtë pjesë të jetës, fëmijërisë sime, doja ta sillja në një libër. Ky libër është më shumë një trastë kujtimesh. Unë jam njeri i vërtetë. Nuk ka çfarë fsheh njeriu për rrugëtimin e tij, vendlindjen. Libri i takon një pjese të rëndësishme të jetës sime, ku kam qëndruar për 14 vite. Ai ishte stacioni i parë i jetës sime. Është familja, habitati ku lind njeriu, që formaton trurin e tij. Ne mësojmë gati 70% të gjërave kur mbushim 7 vjeç. Truri ka nevojë të zhvillohet me fjalën e mjeshtrit, rrethinat, mjedisin social. Besoj se fëmijëria është e shenjtë. Besoj se çdo njeri ka një obligim në jetë, çdo njeri është një bibliotekë më vete, është një rrugëtim i suksesshëm, me gëzime e hidhërime, dhe nëse nuk lëmë diçka, nëse nuk shkruajmë, sigurisht që kjo bibliotekë ‘digjet’. Unë duke shkruar këtë libër plotësova një obligim shpirtëror timin, për të lënë gjurmë për disa mbresa. Unë kam shkruar plot gjëra, që kanë lënë mbresa, dhe që nuk janë tipike për një fshat të vogël, si Turani, por po t’i heqësh emrin e Turanit, besoj se çdo njeri që ka lindur në një fshat të vogël, ka një histori, ka plot gjëra për të treguar. Ne thithnim ajër të pastër, pinim ujë të pastër, nuk hanim çokollata, koncepti ynë për botën ishte shumë i cunguar, ne e njihnim botën përmes prindërve e gjyshërve tanë”, tha ai.

I pyetur se “Sa punuat për këtë libër?”, Et’hem Ruka theksoi se “Kam punuar pak më shumë se një vit, por në mënyrë intensive kam punuar vitin e fundit. Është një libër që e kam konsultuar me tim vëlla, që nuk jeton më, me Petritit. Mundohesha që atij t’i krijoja një mjedis tjetër shpirtëror, që të largohej nga sfondi i sëmundjes, nga e cila ai vuante. Më është dashur të pyes edhe njerëz të tjerë. Unë e kam në zemër gjithmonë fshatin tim. Nëse do të shkruash një libër momeristik, duhet të jesh shumë i vërtetë, dhe nuk është e lehtë të shkruash për veten. Ti mund të shkruash shumë për veten, të thuash jam kështu e ashtu, por ka dhe rrezikun që nga modestia të mos tregosh të vërtetën. Unë jam shumë i kënaqur me përshtypjet dhe mbresat e njerëzve që e kanë lexuar librin”.

Ndërkohë, Rektori rrëfeu edhe lidhjen e ngushtë me fshatin, ku ai ka lindur, Turanin e Tepelenës. Ai u shpreh Turani për të është një xhungël kujtimesh e mbresash.
“Kjo është një xhungël kujtimesh, mbresash, por unë mendoj se nuk ka gjë më të shtrenjtë se prindërit, të cilët në kushte të vështira u munduan të bëjnë gjithçka për ne, të sakrifikonin për ne, për të na shkolluar. Ata mburreshin kur shihnin dëftesën time, që nuk kishte kurrë një notë poshtë maksimales, ky ishte shpërblimi që u dhashë. Biblioteka e vetme për mua ishte im atë, kur netët pa drita të dimrit jo vetëm unë e motra apo vëllai, por edhe të gjithë fëmijët e lagjes, mblidheshin për të dëgjuar përrallat dhe rrëfimet e tij. Ajo ishte një shkollë e pazakontë për mua. Ishte një jetë e bukur për mua. Babai për mua ishte simboli i njeriut punëtor, që bënte gjithçka për të na rritur dhe mbi të gjitha që bënte gjithçka për të na rritur me ndershmëri. Shpresoj që dhe ne t’i kemi ngjarë pak në jetë për këto cilësi të vyera”, u shpreh Ruka.

Më tej, Ruka kujtoi edhe vitet e shkollimit në Gjirokastër, ku tha se “Të bëje shkollën e mesme duhet të shkoje në Tepelenë, por babai bëri një kërkesë për të bërë shkollën në Gjirokastër, që m’u aprovua. Jam shumë me fat që e kam bërë atë shkollë, sepse ka qenë universiteti më i mirë për mua. Formimin që kam marrë aty, nuk e kam marrë askund tjetër, ishte detirminante për formimin tim. Ishte në kushte të vështira, flinim në dhoma me 10-12 veta, por ju e dini se çfarë të edukon Gjirokastra. Ato ishin shkolla të vërteta. Babai më përqafoi, nuk e dha veten, më tha që do vinte të më shihte shpesh, që nuk ishim larg, edhe pse mua m’u duk larg. Babai vinte e më shikonte herë pas here”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb