Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare Erl Murati, i ftuar në studion e rubrikës “Opinion” në News24 ka komentuar situatën politike në vend, duke u ndalur te zhvillimet brenda PD dhe arrestimin e Vangjush Dakos.

Ai deklaroi se rikthimi i Lulzim Bashës për të marrë kryesinë e Partisë Demokratike ishte një skenar i pritshëm, për shkak se pas dorëheqjes së tij u tha që zgjedhjet do kryheshin pas zgjedhjeve vendore të vitit 2023.

Sipas tij debatet që po zhvillohen brenda PD-së janë të kota, për sa kohë që asnjë nga anëtarët nuk ka ambicien për të qenë kryetar, ndërsa nga ana tjetër Berisha është “faktori kryesor opozitar në vend”.

Sa i përket arrestimit të ish-kreut të bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, Murati u shpreh se ai është një ndër peshqit e mëdhenj të politikës shqiptare dhe se kryeministri duhet që “minimumi të kërkojë ndjesë” për shkak të mbështetjes që i ka dhënë pavarësisht akuzave të vazhdueshme ndaj tij.

Sakaq, ai komentoi edhe situatën mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se propozimi i Ramës për Asociacionin është “skandaloz” për shkak se ky i fundit nuk është konsultuar me autoritetet e Prishtinës, ndërsa shtoi se Rama në këtë mënyrë po bën avokatinë e serbëve në territorin kosovar.

“Ishte e pritshme që Lulzim Basha të rikthehej për kryesinë e Partisë Demokratike. Që atëherë u tha që zgjedhjet do kryheshin pas zgjedhjeve vendore, që Basha të rikthehej si shpëtimtar pas humbjes së thellë. Ky është një skenar i përgatitur. Nuk shoh asnjë personalitet tjetër brenda PD-së zyrtare që të ketë ambicie për të qenë kryetar në vend të Bashës. Kjo ka qenë për t’i liruar rrugën Bashës.

Për sa kohë që nuk e çuan vulën te Berishë gjithë këto muaj, por nuk kanë treguar as ambicie personale, më mirë të dorëzojnë menjëherë vulën te Basha pasi skenari dihet. Basha e do me çdo kosto vulën dhe do ishte e udhës që t’i jepet atij dhe në këtë kamp të vogël të opozitës të ketë qetësi. Berisha e ka treguar se është faktori kryesor opozitar. Nëse flasim për opozitën në tërësi, nga pikëpamja numerike Berisha me Bashën janë si dita me natën.
Basha ka ambicien e tij dhe kërkon vetëm të jetë kryetar i një partie. Berisha dhe Basha kanë legjitimitet por janë duke mbajtur opozitën pas. Berisha dhe Basha duhet të kenë pjekurinë politike për të zgjidhur krizën e opozitës, pasi kjo anije ka nevojë për një timonier të ri. Ky teatër nuk ka nevojë të zgjatet teksa Basha del nëpër takime me të rinjtë dhe në PD ka diskutime të kota.

Në këtë vend opozitarizmin duam apo nuk duam, e përfaqëson Berisha dhe berishizmi. Ndoshta shoqëria do e ndërrojë klasën politike, por kemi ende aktivë politikanë të viteve ’90. Nuk besoj se një largim mekanik i Berishës do e bashkonte opozitën. Zgjidhja duhet të vijë përmes Berishës, por pa të.
Nuk besoj se Lulzim Basha është i blerë nga Rama, këto janë akuza të Berishës ku thotë fjalën e fundit. Basha ka bërë llogaritë e veta politike dhe jo vetëm që i del kështu më mirë. Jam gati të vendos një bast se nëse vazhdon kështu forcë e tretë do dalë PSD dhe PD do jetë e katërta. Nëse opozita vijon në këtë kurs degradimi, humbja do jetë me e thellë se viti 2023.

Dako është ndër peshqit e mëdhenj të politikës shqiptare, dhe ka qenë mjaft i afërt me Ramën. Nga pikëpamja politike ai është një peshk i madh. Dako është etiketuar nga opozita vite më parë dhe nuk është surprizë. Opozita ka kritikuar Dakon dhe akuzuar dhe kanë rënë në vesh të shurdhër, por nga SPAK po del se këto po vërtetohen. Duhet minimumi një ndjesë nga kryeministri apo partia në mazhorancë. Përgjegjësia penale është personale, por ajo politike është e kryeministrit që i ka mbështetur këta individë edhe pas akuzave ndaj tyre.

Për mua është skandaloze që Rama të bëjë një propozim për marrëdhëniet Kosovë-Serbi pa u konsultuar me autoritetet e Kosovës. Shqipëria kur vjen puna te këto marrëdhënie nuk është ndërmjetëse, por është palë. Nuk mundet kryeministri shqiptar të bëjë propozime të tilla sikur të jetë OKB-ja. Ai po bën avokatinë e serbëve në Kosovë. Është sikur të dalë Kurti e të bëjë propozime për çështjen e detit me Greqinë pa u konsultuar me Shqipërinë. Rama e bën këtë për ambicien e tij personale, pasi kërkon të bjerë në sy të ndërkombëtarëve”, u shpreh Murati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb