Ish-ministri i Financave Arben Malaj i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën ekonomike në vend, ku komentoi rikthimin e basteve në vend.

Sipas Malajt mbyllja fillestare e basteve ishte një episod i “qeverisjes me emocion dhe pasion personal” nga ana e kryeministrit, i cili sipas tij gaboi me vendimin që mori para disa viteve.

Ai shtoi se vendi ka humbur miliarda nga mbyllja e basteve pasi kjo industri ka funksionuar në të zezë duke mos paguar tatime për një periudhë të gjatë kohe.

“Qeverisje me emocion, buxheti ka humbur miliarda me mbylljen e basteve, nuk është gjë e vogël. Bastet kanë ekzistuar dhe paratë jo ligjore kanë kaluar në dorën e njerëzve. Krimi ekonomik duhet të dijë se ku kanë mbërritur këto para. Unë jam dakord që nuk e kontrollon dot plotësisht, por pa i legalizuar humben miliarda.

E dinte kryeministri që nuk ndaloheshin kur i ndaloi bastet? Ka qenë qeverisje me pasion personal. Besoj e ka pranuar dhe vetë që dështoi me atë vendim. Ato duhet të legalizohen dhe të tatohen. Ose të kemi një lotari të madhe kombëtare dhe dalin disa fitues si në Itali. Modeli online do jetë më i kontrollueshëm dhe heq mbirjen e pikave të basteve në çdo vend”, u shpreh Malaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb