NGA FATMIRA NIKOLLI*

TIRANE – Dua që Antony [Hegarty], që është një këngëtar i madh dhe mik i imi, të këndojë këngën “I did it my way”. Ai nuk ka thënë kurrë po, por aq i trishtuar sa do të jetë atë ditë, mbase e këndon (M.Abramoviç duke folur për funeralin e saj në “The Guardian” korrik 2015, çka do të jetë në fakt, edhe performanca e saj e fundit artistike).

Marina Abramoviç dhe Ulay (artistë ndërkombëtarë të artit bashkëkohor) patën një histori dashurie në vitet 1970. Atëkohë, bashkëpunuan për një sërë veprash arti. Kur marrëdhënies së tyre i erdhi fundi, vendosën të ecnin mbi Murin e Madh Kinez, duke e nisur secili nga një anë e murit, ata do të takoheshin në mes, për një përqafim të fundit… (Kjo ishte hera e fundit që u panë, derisa një tjetër performancë e Marinës në vitin 2010, do të bashkonte duart e tyre për pak çaste). Përtej kësaj, të dy do të “takohen” në Tiranë! Marina Abramoviç dhe Ulay janë vetëm dy prej emrave të njohur ndërkombëtarë të artit bashkëkohor që vijnë në Tiranë për ekspozitën (dhe konkursin) “ONUFRI XXI”, që mbahet nga Galeria Kombëtare e Arteve. Veç tyre, pjesë e “ONUFRI”-t janë edhe artistët e tjerë të njohur: Chris Burden, Tony Cragg, Jan Fabre, Joseph Kosuth, Boris Nieslony, Yoko Ono, Jaume Plensa, Douglas Quin, Lawrence Winer, Armando Lulaj, Leonardo Cimolin, Dana Dal Bo, Seamus Farrell, Andrea Moruçhio dhe Nelda Ramos).
Mes 23 emrave, vihen re dhe veçohen Abramoviç (e njohur si “nëna” e artit të performancës) dhe ish-partneri i saj, Ulay (Uwe Laysiepen) apo Yoko Ono, vejusha e John Lenon, e njohur si këngëtare, artiste dhe aktiviste e paqes.

Emrat janë bërë të ditur përmes një njoftimi për mediat, që Galeria Kombëtare e arteve ka shpërndarë dje. Koncepti kuratorial i “Onufri XXI” 2015 është “SiO2 – Arsyeja e Brishtësisë/Artistët bashkëkohorë përballen me qelqin”, ndërsa kuratorë janë duoja artistike “VestAndPage” (Verena Stenke dhe Andrea Pagnes). Ndërkaq, 7 artistët shqiptarë të përzgjedhur nga thirrja e hapur për fazën e mëtejshme janë: Eros Dibra, Oltsen Gripshi, Shqipe Jonuzi, Sead Kazanxhiu, Ermela Teli, Klodian Deda, Ermal Baboçi & Linda Doçi. Këta artistë të rinj shqiptarë janë së bashku me artistët e ftuar dhe përzgjedhur nga kuratorët për të qenë pjesë e kësaj ekspozite.

Rikthimi me “luftë”
“ONUFRI” i sivjetshëm vjen pas një viti mungesë. Ai nuk u mbajt gjatë vitit të shkuar, ndërsa Ministria e Kulturës u shpreh atë kohë se kishte nevojë për reflektim. (Edhe një vit më herët, pra në vitin 2013, ai ishte mbajtur pa fonde nga ministria siç e parashikonte statuti i tij, por me disa thërrime).
Ndërsa reflektimi zgjati dhe u vu në dyshim vetë vijimësia e tij, anispe është i vetmi që mbahet, drejtori i GKA-së, Artan Shabani, përmes një interviste për “Gazeta Shqiptare” la të kuptohej se “Onufrin” do e mbante me ose pa ndihmën e ministrisë (mund të lexohet këtu: http://www.balkanweb. com/site/artan-shabani-pse-i-duhet-onufri-shqiperise/) Atë kohë (reflektimi), artistë të njohur dolën publikisht kundër qëndrimit të ministrisë, e cila me reflektimin e saj të tejzgjatur, bëri që të hidhen hije dyshimi se “Onufri” po shuhej, siç kishte ndodhur më herët me Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë Artistike “Marubi”. A po tentohej “zhdukja” e “Onufrit” si e “Marubit”? Ministria mohonte, e në këtë kuadër organizoi një tryezë të rrumbullakët për çështjen. Shumë artistë që kishin folur publikisht, nuk morën pjesë. Më vonë u njoftua se “Onufri” do rilindte dhe nuk është se u bë e qartë se për çfarë shërbeu konkretisht ajo mëdyshje e zvarritur në dy vite?!

Mbi konceptin e kriteret
Sa i takon konceptit kuratorial dhe kritereve të përzgjedhjes, shkëpusim nga njoftim i GKA-së, pjesën e mëposhtme:
Në artin bashkëkohor një medium dhe material si qelqi, me gjithë cilësitë dhe karakteristikat e tij të brendshme, si dhe simbolet që mbart mbi vete, mund të përçojë idenë se arti është i pashprehshëm, transhendental. Edhe pse nga ana shoqërore dhe kulturore qelqi ka veçantitë e tij, ai kurrë nuk mund të reduktohet vetëm në kontekst, i cili kontribuon në diskursin social, por mund të mos jetë tregues i tij. Nga ana tjetër, qelqi mund të zgjidhet qëllimisht si një mekanizëm ideal që strehon diferencat, ose thekson ndasitë e mëdha, për aq kohë sa është i lidhur pazgjidhshmërisht me debatin e përditshëm brenda diskursit masiv të shoqërisë, qoftë ky publik apo privat, i thellë apo banal, argumentuar nga një pozicion rigoroz estetik apo etik. Për arsyet e sipërpërmendura, procesi i përzgjedhjes nga “VestAndPage” ka vlerësuar ato propozime të cilat:

a) Angazhohen në mënyrë më kritike me një kulturë pamore dhe konsumeriste që ndryshon me shpejtësi, dhe:

b) Ngrenë pyetje dhe konfirmojnë dallime të rëndësishme në sferën private, shoqërore dhe politike, përmes një vlerësimi të qartë artistik dhe konceptual të materialit të propozuar – qelqit – për të eksploruar kuptime dhe interpretime të veprës së artit në vetvete: rolin dhe ndikimin e saj në jetën bashkëkohore.

Të përfshihesh në mënyrë aktive për t’i dhënë formë ambientit rrethues nuk mjafton për të qenë (apo, gabimisht të mendosh se je) krijues novator: së pari duhet të kuptojmë dhe të perceptojmë qartë mjedisin rreth nesh, teksa në mënyrë simultane hetojmë në mënyrë kritike shtytjet tona të brendshme pulsuese.

Në fakt, dhënia kuptim dhe gjenerimi i reflektimeve të mëtejshme është pasojë e një vepre arti ndjerë thellësisht si domosdoshmëri dhe urgjencë, e jo si shkak i një qëndrimi artistik shkruar nga artisti apriori, shpesh arnuar qëllimisht me sforco dhe me rrezik edhe për punën vetë.

Patëm 29 (njëzetenëntë) aplikime: 16 (gjashtëmbëdhjetë) nga artistë shqiptarë dhe kosovarë, si dhe 13 (trembëdhjetë) artistë nga vende të ndryshme (Siri, Tunizi, Rusi, Poloni, Republika Çeke, Gjermani, Francë, Australi, Greqi, Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Brazil). Këto trembëdhjetë aplikime të fundit të dërguara online nga vende të ndryshme për fat të keq u refuzuan, sepse thirrja e hapur u adresohej në mënyrë të qartë vetëm artistëve të skenës kulturore dhe artit shqiptar. Ekspozita do të zhvillohet në Galerinë Kombëtare të Arteve nga data 20 nëntor 2015 – 03 janar 2016.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb