Ai është një nga fituesit më të mëdhenj në nisjen e pjesës së dytë të sezonit. Mërgim Mavraj, një muaj më parë, luajti nga minuta e parë me Këlnin me statusin e mbrojtësit të katërt në listë sa u përket qendrave të prapavijës. Me rikthimin pozitiv pas dëmtimit, shqiptari arriti që të sigurojë pjesëmarrjen e tij në formacionin e parë të Këlnit. 29-vjeçari shpjegon vështirësitë e vitit të shkuar, gjithashtu rrëfen emocionet e nisjes së pjesës së dytë të sezonit.

Në një intervistë për “Geissblog.Koeln”, mbrojtësi i Kombëtares flet edhe për besimin e tij fetar dhe pelegrinazhin në Mekë: “Pushimet do t’i bëj në Shqipëri, por nuk e dimë datën se kur do të jemi atje për shkak të Europianit”, është shprehur ndër të tjera mbrojtësi.

Mavraj, katër javë më parë, e kishit menduar se do ta nisnit sezonin me tre takime radhazi si titullar?
Pavarësisht dëshirës apo ëndrrave, as vetë nuk e kisha menduar diçka të tillë. Edhe pas ndeshjes së parë s’e mendoja se do të vijoja të luaja sërish ndeshje pas ndeshje.

Pati disa dëmtime dhe mungesa në mbrojtje, por edhe tashmë që janë rikthyer, ju jeni mes titullarëve. Çfarë ju tha trajneri?
Nuk më pëlqen të flas shumë. Si futbollist profesionist e kam për detyrë që të jem gati sa herë ka nevojë trajneri dhe skuadra që unë të zbres në fushë. Nuk kam nevojë për askënd që të më godasë nga shpatullat për të më thënë se çfarë duhet të bëj. Rikthim i tillë pas kaq shumë muajsh ishte surprizues edhe për mua, por gjithsesi një kënaqësi e madhe.

Viti i shkuar nuk ishte aspak i lehtë për ju…
E vërtetë. Babai im ndërroi jetë dhe kjo gjë ndodhi menjëherë pasi unë u dëmtova. Një dhimbje e madhe që ka pasur ndikim tek unë. Ai nuk ishte vetëm baba për mua, por figura më e rëndësishme në jetën time. Nuk qe e lehtë, madje nuk është as tani.

A ishit nervoz në minutat e para gjatë ndeshjes me Volfsburgun?
Jo, ishte një ndjesi e shkëlqyer. Isha shumë i qetë dhe me besim në vetvete. Ndihesha shumë mirë dhe s’kisha asnjë pasiguri. Unë kam shumë vetëbesim edhe kur diçka nuk shkon siç duhet.

Si në ndeshjen ndaj Frankfurtit…
Pikërisht. E vazhdova ndeshjen sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Pak javë më parë kërkoheshit nga disa klube, ndërsa luajtët tre takime radhazi.

Si kanë ndryshuar planet tuaja?
Situata ka ndryshuar plotësisht. Qëndrova tetë muaj jashtë fushave, ku as nuk mund t’u afrohesha shokëve që stërviteshin. Edhe në momentin kur fillova të stërvitesha, sërish duhet të isha i durueshëm. U riaftësova plotësisht, por akoma nuk mjaftoi për t’u përfshirë në ekipin e parë. Kur të marrin me sy të keq, është paksa e vështirë.

Jeni ndier ndonjëherë i tepërt në skuadër gjatë kësaj periudhe?
Jo. S’ka dallime mes lojtarëve në përgjithësi, apo mes 18-shes dhe shtatë të tjerëve. Që nga momenti i parë kur kam ardhur te Këlni, nuk kam parë asnjë futbollist që të ndihet i tepërt.

Kontrata juaj përfundon në fund të sezonit. Keni pasur ndonjë kontakt për të ardhmen?
Nuk ka arsye, pasi çështjet kontraktuale janë një gjë e largët. Për mua, kontrata deri në fund të 2017-ës, është një gjë për të cilën ka ende shumë kohë. Deri atëherë mund të ndodhin shumë gjëra. Tani dua që të shijoj momentin, rikthimin… Unë ua kam rikonfirmuar aftësitë e mia të gjithëve.

Në verë do të jeni në Europian me Shqipërinë. A është kjo arritja më e madhe në karrierën tuaj?
Patjetër! Është diçka shumë speciale që të marrësh pjesë në një kompeticion të një niveli shumë të lartë. Edhe aktualisht, ideja që duhet të jemi të gatshëm fizikisht për Europianin, është një shqetësim që nuk e kisha provuar deri tani në karrierë. Jo vetëm kaq. Në fund të këtij sezoni ndryshojnë edhe planet, pasi dikur prenotonim për pushime, ndërkohë që këtë vit duhet të jemi në fazë përgatitore dhe, më pas, në Europian. Mbi të gjitha, pushimet do të jenë në Shqipëri, por nuk dihet se në cilën datë do të jemi atje. Kjo është diçka që më bën krenar./Panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: