Plot 110 vjet pas mbytjes, “Titaniku” do të kthehet sërish në lundrim në ujërat mes Britanisë së Madhe dhe Nju-Jorkut. Në fakt fjala është për një kopje besnike të anijes gjigante dhe jo për origjinalin që gjendet në fund të Oqeanit Atlantik, ku u mbyt gjatë udhëtimit të parë në vitin 1912.

Një kopje identike e Titanikut, por e pasuruar me teknologjitë më të avancuara të shekullit XXI, është në ndërtim e sipër në kantieret e anijeve në Dubai. Kompania që ka marrë përsipër ndërtimin e saj, “Blue Star Lines”, thotë se transatlantiku i ri do të nisë dhe të çojë në fund udhëtimin që nisi 110 vjet më parë dhe nuk e përfundoi kurrë. Kjo pritet të ndodhë në verën e vitit 2022.

Udhëtimi përurues do ta çojë anijen nga Gjiri Persik drejt Britanisë së Madhe, ndërsa më pas turistët e pasionuar pas historisë së Titanikut do të shijojnë lundrimin nga Britania drejt SHBA-ve.

Projekti kolosal me vlerë 500 milionë dollarë ka nisur në vitin 2012, por për shkak të mosmarrëveshjeve financiare mes ortakëve ka mbetur pezull për disa kohë. Anija madhështore do të mbajë 2400 pasagjerë dhe 900 pjesëtarë ekuipazhi.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: