TIRANE – Prej pak javësh, prezantuesja e njohur Arbana Osmani, i është rikthyer ekranit me një program të ri në Top Channel, “Në një javë”, por shumë njerëz imazhin e saj e kanë të lidhur me spektaklin që Arbana ka drejtuar për vite të tëra. Në një intervistë ekskluzive për revistën “Madame”, Arbana tregon se prezantimi i “Big Brother” ka qenë më i rëndësishmi në karrierën e saj televizive.

“Big Brother” ka qenë një nga programet më të rëndësishëm në punën time, më i rëndësishmi. Ka qenë një program të cilin e kam dashur shumë ta prezantoj dhe kam marrë shumë emocion prej tij”, – tregon ajo, duke shtuar se edhe pesha që të jep një program i tillë nuk është e lehtë: “Një program me audiencë të madhe si “Big Brother” të vë edhe para shumë përgjegjësish e të mëson të jesh më e matur, e përgatitur para çdo situate dhe e gatshme të ndryshosh kursin befas. Unë i jam shumë mirënjohëse “Big Brother” për popullaritetin dhe afrimitetin që më ka dhënë me njerëzit. Falë atij programi më njohin shqiptarët këtu dhe në çdo aeroport të botës.”

Megjithatë, siç thotë Arbana, me kalimin e viteve, ky emocion nuk është më i njëjti: “Por vjen një moment dhe ndien se cikli yt ka mbaruar. Në këto vitet e fundit gjithmonë e më tepër kisha filluar të mos e përjetoja prezantimin e “Big Brother” si një përvojë të bukur, por më shumë si një “punë”. E këtu nuk ka asgjë të keqe për aq kohë sa puna bëhet mirë. Por pastaj, me ardhjen në jetë të djalit, ishte një moment i papërshtatshëm për t’u shkëputur e për të zhvilluar hapësira të reja.”

Sa për edicionin e fundit të “Big Brother”, i cili iu besua mikut të saj Ledion Liço, Arbana thotë se pothuaj nuk e ka ndjekur fare, meqë në atë periudhë sapo kishte lindur, megjithatë e vlerëson maksimalisht punën e kolegut të saj: “Për shkak se nisja e “Big Brother” përkoi me ditët kur linda, t’ju them të vërtetën e kam ndjekur fare pak për mos të thënë fare. Kam parë Ledionin në spektaklin e parë dhe më krijoi përshtypjen sikur atë program e kishte prezantuar prej vitesh.”

Ndërsa, nëse do t’i rikthehet prezantimit të tij, Arbana nuk ka një përgjigje të prerë: “Nuk e di nëse do t’i rikthehem. Ka një sërë faktorësh tashmë që më joshin të pranoj ose jo një program. Por më i rëndësishmi është emocioni që më transmeton mua. Ndiej se po nuk u emocionova dot vetë, nuk i emocionoj dot as të tjerët.(class)
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: