Partia e Lirisë ka lëshuar akuza në drejtim të qeverisë Rama, ndërsa thekson se merren vendime arbitrare në dëm në qytetarëve.

Në një dalje për mediat anëtari i Kryesisë të Partisë së Lirisë, Gentian Çala tha se ‘Rilindja’ ka babëzi ndaj pronave të qytetarëve, ndërsa i referohet situatës që po ndodh në zonën e Bërxullës, në Drilon dhe Tushemisht, apo me Butrintin.

Deklarata e plotë
Të nderuar bashkëqytetarë,
Ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë të qëndrimeve të kësaj qeverie ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj pronës së tyre. Në shumë raste kemi parë sesi veprohet me arrogancë, me mospërfillje, duke përdorur shpesh here masa shtrënguese apo forcën ndaj qytetarëve. Vendimet ndaj pronës publike apo private janë arbitrare, të pakonsultuara dhe të gjithë qytetarët e përfshirë ndihen të pambrojtur në pronat e tyre.

Mjafton të shikoni atë që ndodh aktualisht me zonën e Bërxullës, atë që po bëhet në Drilon dhe Tushemisht, apo me Butrintin, si dhe përpjekja e fundit për të bërë një VKM që u lejon autoriteteve që të prishin objektet që janë më të vjetra se 50 vjet.

Qeveria, e cila harxhon pa masë për projekte ku përfitojnë oligarkët, tregohet mjaft dorështrënguar me qytetarët. Projektet zhvillimore nuk bëhen si duhet dhe nuk marrin në konsideratë ndikimin e tyre në mjedis, në trashëgiminë tonë kulturore, në jetën apo pronat e banorëve. Kjo marrëdhënie e deformuar dhe abuzive e qeverisjes qendrore ose vendore me qytetarët duhet të marrë fund. Pronat dhe pasuritë tona nuk mund të jenë plaçkë tregu për pushtetarët.
Ne, si Parti e Lirisë, mbështesim qytetarët në të drejtën e tyre për shpronësim real dhe në gjetjen e zgjidhjeve të dëmeve që krijohen nga projektet zhvillimore. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje institucioneve që të bashkëbisedojë me qytetarët dhe të gjejë zgjidhjen e pranuar në interesin e tyre më të mirë. Kërkojmë me forcë që të ketë më shumë transparencë lidhur me projektet që zhvillohen në visaret tona më të çmuara, të cilat po rrezikojnë edhe pranimin e tyre në UNESCO, siç është në rastin e Drilon-Tushemishtit.

Banda Rilindjes në pushtet ka dëshmuar se karakterizohet nga babëzia për pronën publike. Të gjithë ata që e kanë provuar në kurrizin e tyre e dinë mirë. Sot na takon të gjithëve reagojmë dhe të mos presim që të reagojmë vetëm kur kjo na ndodh në pragun tonë. Mundësia më e afërt e reagimit është në zgjedhjet e 14 Majit.
Ndaj duhet ti tregoni me votë se koha e arrogancës mbaroi!
Ndryshim me ҫdo çmim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: