TIRANË-Kryeministri vijon të prezantojë nismën ‘Të pastrojmë më tej Shqipërinë’. Sot u gjend në Berat në kuadër të kësaj nisme, por ajo cfarë ra në sy ishte prezantimi me projektor. Konkretisht fjala, ‘çfarë’, që duket se socialistët e kanë rilindur duke e sjellë në formën, (ç’farë).

Duhet theksuar se Gjuha Shqipe nuk e njeh kurrë këtë formë apostrofi dhe me anë të fjalorit mund të shpjegojmë kuptimin e përemrit Çfarë, si dhe kur përdoret.

ÇFARË është Përemër pyetës.
I. pyetës.
1. Përdoret në fjali pyetëse përpara foljeve për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për një send, për një dukuri a për një veprim të panjohur, që duam ta dimë; ç’. Çfarë po nxjerr? Çfarë është kjo? Çfarë kërkon prej nesh? Çfarë i thanë atje? Çfarë po ndodh? Me çfarë të vishem? Çfarë u bë?
2. Përdoret në fjali pyetëse përpara emrave në rasën rrjedhore të pashquar për të pyetur drejtpërdrejt ose tërthorazi për natyrën, llojin, tiparet a veçoritë e një qenieje, të një sendi, të një dukurie ose të një veprimi; cili, ç’. Çfarë mjeshtërie ka? Çfarë njeriu është? Prej çfarë lënde bëhet? Me çfarë detyre është ngarkuar? Çfarë kafshësh rriten atje?
3. Përdoret për të pyetur për punën e detyrën e një njeriu në marrëdhënie me të tjerët ose për lidhjet e tij familjare etj.; kush. Çfarë e ke atë djalë? Çfarë e keni atë në institut? Çfarë je ti këtu?
4. Përdoret kur kërkojmë që të përsëritë bashkëbiseduesi atë që nuk e kemi dëgjuar ose që nuk e kemi kuptuar mirë. Çfarë?- thuaje edhe një herë, të lutem!
5. Përdoret në fjali thirrmore kur shprehim habi për shkallën e shfaqjes së tipareve të një qenieje, të një sendi, të një dukurie a të një veprimi; ç’. Çfarë trimash! Çfarë dite e bukur! Çfarë guximi! Çfarë pune e madhe që është bërë! Çfarë njeriu i mirë që ishte! U bënë përgatitje e çfarë përgatitjesh!
6. Përdoret para një foljeje në fjali thirrmore ose në pyetje retorike, që nënkuptojnë përgjigjen mohuese «asgjë». E çfarë është ai? E çfarë të gjeti? E çfarë të tha? E çfarë fitove? Çfarë ka për t’u çuditur këtu? Çfarë tjetër donte prej meje?
7. Përdoret në fjali thirrmore që shprehin habi ose në fjali mohuese, të cilat nënkuptojnë përgjigje pohuese me kuptimin: gjithçka, çdo gjë; çmos; ç’. Çfarë nuk i bën dora! Çfarë nuk i tha! Çfarë s’kam parë atje! Çfarë të shihje atje me parë!
8. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» kur dikush fillon të tregojë a të numërojë diçka drejtpërdrejt ose kur e përmbyll tregimin a numërimin. Ja çfarë tha ai. Ja çfarë me tregoi. Ja çfarë me panë sytë. Ja çfarë bleva. Ja çfarë me solli. Ja çfarë duhet të kemi parasysh.
9. Përdoret së bashku me pjesëzën «ja» për të shprehur habi, kënaqësi, zemërim, përçmim etj. Ja çfarë paske bërë! Ja çfarë të gjeti! Ja çfarë do të thotë të jesh kokëfortë!
10. Përdoret në disa togje foljore që shprehin në mënyrë të papërcaktuar veprimin nëpërmjet përsëritjes së foljes. U bë çfarë u bë… U tha çfarë u tha…
II. lidhor. Përdoret për të lidhur një fjali të varur kundrinore ose kryefjalore dhe ka kuptimin: ai (ajo, ata, ato) që; gjithçka që. Nuk e di çfarë kërkonte. Ha çfarë të duash. Çfarë u vendos, të zbatohet. Mos harro çfarë të thanë!

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: