Kryetari i Partisë së Lirisë ka zhvilluar sot një takim në Berat, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki.

Ai ka deklaruar se betoni ka deformuar urbanistikën e këtij qyteti e jo vetëm, ndërsa ka shtuar se beson se arroganca e Rilindjes, e cila sipas tij ndërton korrupsionin mbi vlerat kulturore e arkitekturore, do të marrë fund më 14 maj me votën e qytetarëve.

Meta tha se banorëve do tu kthehet bashkia e cila do të jetë tashmë në shërbim të tyre.

Ai përmendi rritjen e taksave që sipas tij janë rritur deri në 100 përqind, ndërkohë që shërbimet nuk kryhen ose nuk janë në nivel me taksat e paguara.

“I lumtur që jam këtu për të shprehur mbështetjen më të vendosur e të plotë për doktor Zijain, ta falenderojmë që i ka hyrë kësaj sfide jo të lehtë, por që është detyrë e të gjithëve ju dhe ne që e duam Beratin e duam ta mbrojmë.

Të shohësh sot një mostër betoni që ka deformuar komplet urbanistikën e arkitekturën e këtij qytet, është më shumë se sa një krim.

Por kjo nuk ka ndodhur vetëm në Berat.

Mostra betoni ka edhe në Durrës, teatri i shembur në Tiranë.

Sepse për fat të keq Rilindja nuk ka asnjë ndjeshmëri për historinë e traditën. Rilindja ndjen kënaqësi kur mbi vlerat zhvillon korrupsionin e vet katastrofik. Të gjithë e dinë që me fondin amerikan u bë një investim që u hodh në lumë e mbi të po bëhet një ndërtim tjetër pa pyetur askënd.

Besoj shumë se ne do t’i kthejmë Beratit transparencën e munguar në drejtimin e bashkisë, frymën e gjithë përfshirjes që qytetarët ta ndjejnë që bashkia është e tyre dhe që është aty për tu shërbyer.

Janë rritur 50-100 përqind taksat dhe shërbimet në shumë raste nuk ekzistojnë fare.

Rritet taksa e pastrimit po mbeturinat nuk i tërheq askush, rritet taksa e ndriçimit por nuk vihet një llampë. Kjo vjen nga arroganca. Rilindja injoroi qytetarinë beratase, ekspertët, profesionistët dhe jam i sigurt që kjo do të marrë fund me votën e banorëve të Beratit për doktor Zijain dhe koalicionin tonë.

Kjo është filozofia e tyre edhe në nivel lokal edhe qendror: Rrisin taksat e nuk japin llogari”, tha Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: