Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Personat që kanë të ardhura nën 2 milionë lekë mund të përfitojnë nga plotësimi i deklaratës së të ardhurave personale përjashtimin nga tatimi në dy raste. Kur kanë marrë një kredi për shkollimin e fëmijës si dhe kur kanë paguar shpenzime për kurimin e njërit prej anëtarëve të familjes. Deklarues mund të jetë cilido individ që realizon të ardhura nën pragun 2 milionë lekë, por që me dëshirën e tij kërkon të bëhet deklarues. Përfitimi i personave që bëhen pjesë e deklarimit të të ardhurave personale kur nuk janë të detyruar nga ligji është kthimi në fund të vitit i tatimit mbi të ardhurat, që është mbajtur nga tatimet gjatë një viti.
Deklarata
Deklarata për të përfituar rimbursimin e tatimit mbi të ardhurat duhet të bashkëngjitet për justifikimin e shpenzimeve të zbritshme, që janë shpenzimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe kontributet vullnetare të pensioneve. Sipas përcaktimeve në ligjin për fondet e pensionit vullnetar, duhet kopje e kontratës së fondit të pensionit me shoqërinë administruese dhe kopje të pagesave të bëra. Për shumat e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, duhet të paraqitet kopje e kontratës me bankën brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ku të jetë e specifikuar se kredia e marrë është për shkollim si dhe kopje të mandatpagesave të interesave bankare të paguara gjatë vitit. Sipas ligjit për justifikimin e shpenzimeve të zbritshme për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, duhet të paraqitet kopje të faturave dhe mandatpagesave të bëra për mjekim në institucionet shëndetësore deri në shumën e përcaktuar sipas V.K.M. nr. 94, datë 9.02.2011, që është (8 532 lekë për çdo person). Në rastin e plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari ose bashkëshortja, deklaratës i bashkëlidhet kopja e certifikatës familjare, lëshuar nga zyrat e gjendjes civile, në vitin e plotësimit të deklaratës. Në rast të plotësimit të deklaratës nga individi (jo kryefamiljar), shpenzimet vjetore për mjekim, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë. Në rast të plotësimit të deklaratës nga kryefamiljari, bazuar në pikën 3, të nenit 13/1, të ligjit përcaktimin mbi të ardhurat, shpenzimet vjetore për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor janë 8,532 lekë për secilin anëtar të familjes, por jo më shumë se 32,000 lekë.
Rimbursimi
Çdokush që gjatë vitit ka derdhur kontribute vullnetare për pension pleqërie, ka një kredi për shkollim, apo ka kryer shpenzime për kurimin e vetes apo familjarëve (8 532 lekë për çdo person), por ka të ardhura bruto më pak se një milion lekë, mund të plotësojë me dëshirë deklaratën tatimore, edhe pse nuk e ka detyrim ligjor. Deklarimi këtij të fundit mund të bëhet me qëllim për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme. Sipas udhëzimit të ri, nga skema e shpenzimeve të zbritshme përfitojnë të gjithë ato familje që kanë një nivel të ardhurash deri në një milionë lekë në vit. Kur të bëhet bilanci, nga të ardhurat bruto do të zbriten shpenzimet e mësipërme dhe më pas aplikohet tatimi mbi diferencën për të ardhurat e patatuara. Ajo që i kthehet mbrapsht familjes është tatimi i paguar për këtë pjesë. Në këtë rast, individi duhet të aplikojë pranë Tatimeve për të përfituar kthimin mbrapsht të shumës. Pas verifikimeve, organet tatimore ia kalojnë deklaruesit në llogarinë bankare.
Shembull
Në një familje të përbërë nga kryefamiljari, bashkëshortja dhe 3 fëmijët, kryefamiljari ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej në shumën 700 mijë lekë, bashkëshortja ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej në shumën 600 mijë lekë, ndërsa fëmijët nuk kanë të ardhura individuale. Gjatë vitit 2011 kryefamiljari ka marrë kredi në bankë për shkollim për fëmijët. Interesat e kredisë për shkollim gjatë vitit 2011 janë në shumën 100 mijë lekë. Në këto kushte, familjari nuk ka detyrimin për të plotësuar deklaratën tatimore. Por, sipas shpjegimit të dhënë në këtë udhëzim, kryefamiljari mund të plotësojë deklaratën për përfitim nga shpenzimet e zbritshme. Meqenëse kryefamiljari për periudhën tatimore ka realizuar të ardhura individuale vjetore gjithsej 700 mijë lekë, ka të drejtën të përfitojë nga njohja e shpenzimeve të zbritshme. Në rastin konkret përfiton nga njohja e shpenzimeve të zbritshme për interesat e kredisë në shumën 100 mijë lekë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: