Ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2022 e në vazhdim, ndonëse norma e rritjes pritet të reduktohet disi dhe të kthehet në linjë me faktorët themelorë të saj: me shkallën e rritjes së popullsisë në moshë pune, me shkallën e akumulimit të kapitalit, dhe me normat e rritjes së produktivitetit.

Ekonomia shqiptare vlerësohet të jetë rritur rreth nivelit 8.5-9% për vitin 2021, në një tregues të rimëkëmbjes së shpejtë pas pandemisë, por edhe efektit të bazës së ulët krahasuese, si pasojë e kufizimeve “artificiale” të vendosura mbi aktivitetin ekonomik gjatë 2020-s. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një intervistë të posaçme për Monitor pohon se rritja ekonomike gjatë vitit 2022 pritet të ketë një bazë të gjerë.

Sejko është optimist për shpejtësisë e rimëkëmbjes, gjerësinë e burimeve të saj, si dhe stadin e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Megjithatë, ai shton se sfidat që kemi përpara nuk janë të vogla. Njëra prej tyre është tendenca e rritjes së shpejtë të inflacionit, por dhe pandemia, që ndonëse në zbehje mbetet ende një shqetësim i pranishëm në sjelljen dhe vendimmarrjen tonë të përditshme.

Masat e ndërmarra nga qeveritë kudo në botë për të zbutur pasojat e pandemisë, përmes stimulit fiskal dhe injektimeve masive të likuiditetit, janë pasqyruar në nivele të larta të borxhit publik dhe privat, duke përbërë potencialisht një tjetër burim rreziku, i cili duhet monitoruar me sukses nga autoritetet.

Guvernatori rekomandon se – në mungesë të goditjeve të tjera të krahasueshme me pandeminë – vëmendja e financave publike duhet të kthehet drejt uljes së borxhit, në nivele të tilla që minimizojnë ndikimin e luhatjeve të tregjeve financiare në shëndetin e financave publike dhe rrisin hapësirën e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen.

Viti 2021 u mbyll me nivelin më të lartë të inflacionit në më shumë se një dekadë, teksa në dhjetor Indeksi i Çmimeve të Konsumit arriti në 3.7%, mbi objektivin e shënjestruar të bankës së Shqipërisë prej 3%. Sejko thotë se ndonëse politika monetare e Bankës së Shqipërisë nuk do të bëjë kompromis me përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve, banka do të kujdeset të faktorizojë në vendimmarrjen e saj dhe nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike.

Zoti Guvernator, në vlerësimin tuaj, sa do të jetë rritja e vitit të kaluar 2021 dhe cilat janë pritshmëritë për treguesin e rritjes në vitin 2022?

Sikundër e kemi thënë në komunikimet tona publike, Banka e Shqipërisë e konsideron vitin 2021 si një vit të rimëkëmbjes ekonomike.
Siç e dini, pandemia dhe masat e marra për kontrollin e saj gjatë vitit 2020, prodhuan një recesion të thellë ekonomik, të vlerësuar rreth nivelit 4%. Ky recesion preku thuajse të gjithë sektorët e ekonomisë. Në nivel mikro, ai u ndie nga pothuajse çdo qelizë ekonomike e shoqërisë, biznes apo familje, në formën e të ardhurave të munguara, të konsumit të reduktuar, apo të vështirësive të tjera financiare. Fatmirësisht, përgjigjja e bizneseve dhe familjeve tona demonstroi se ato kishin fleksibilitet operacional, si dhe bilance relativisht solide.

Po ashtu, përgjigjja e autoriteteve rezultoi e suksesshme. Ajo arriti të mbrojë ekonominë nga pasojat më negative të goditjes – falimentime masive biznesesh dhe rritje të qëndrueshme të papunësisë – duke ruajtur ekuilibrat ekonomikë dhe stabilitetin monetar e financiar të vendit. Këta dy faktorë siguruan premisat e rimëkëmbjes gjatë vitit 2021.

Reduktimi i masave kufizuese, rifillimi i qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe vijimi i stimulit ekonomik, gjeneruan norma të shpejta rritjeje gjatë vitit 2021. Sipas INSTAT-it, ekonomia shqiptare ka shënuar rritje me 10.4% gjatë nëntë muajve të parë.

Projeksionet tona sugjerojnë se viti 2021 do të mbyllet me një normë rritjeje rreth nivelit 8.5-9%. Kjo rritje, në mënyrë të natyrshme, ka një efekt të fortë nga baza e ulët krahasuese, si pasojë e kufizimeve “artificiale” të vendosura mbi aktivitetin ekonomik gjatë vitit të kaluar.

Megjithatë, analizat tona tregojnë se rimëkëmbja ka shkuar përtej efektit bazë. Për ilustrim, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë kanë tejkaluar nivelet përkatëse të aktivitetit të regjistruar përpara tërmeteve të vitit 2019 dhe pandemisë. E njëjta dukuri vërehet, po ashtu, në:

(i) elementet e kërkesës agregate – konsumin privat, investimet dhe eksportet;

(ii) treguesit e punësimit dhe të normës së papunësisë, të cilët qëndrojnë pranë niveleve të parakrizës; si dhe,

(iii) në rritjen e shpejtë të pagave gjatë tremujorit të tretë.

Në këto rrethana, ne kemi konstatuar se rimëkëmbja ekonomike është me bazë të gjerë dhe se faktorët mbështetës të saj paraqiten relativisht solidë. Kjo na inkurajon të mendojmë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet edhe gjatë vitit 2022 e në vazhdim, ndonëse norma e rritjes pritet të reduktohet disi dhe të kthehet në linjë me faktorët themelorë të saj: me shkallën e rritjes së popullsisë në moshë pune, me shkallën e akumulimit të kapitalit, dhe me normat e rritjes së produktivitetit.

Duke parashtruar sa më sipër, më duhet të theksoj se ne jemi të ndërgjegjshëm mbi rreziqet që kërcënojnë ekonominë gjatë vitit në vazhdim. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të devijojë një pjesë të fuqisë blerëse të ekonomisë shqiptare drejt përballimit të faturës së rritur të importeve.

Po ashtu, përhapja e varianteve të reja të virusit SARS‑CoV‑2 vijon të mbetet një burim rreziqesh dhe pasigurie. Me informacionin që disponojmë aktualisht, këta faktorë pritet të kenë një efekt marxhinal në rritje dhe kalimtar në çmime, duke mos e shmangur ekonominë nga rruga e rimëkëmbjes dhe politikat ekonomike nga kursi i tyre. Megjithatë, rreziqet ekzistojnë dhe për këtë duhet të jemi të ndërgjegjshëm të gjithë.

Rreziqet
ne jemi të ndërgjegjshëm mbi rreziqet që kërcënojnë ekonominë gjatë vitit në vazhdim. Rritja e çmimeve në tregjet botërore do të devijojë një pjesë të fuqisë blerëse të ekonomisë shqiptare drejt përballimit të faturës së rritur të importeve. Po ashtu, përhapja e varianteve të reja të virusit SARS CoV 2 vijon të mbetet një burim rreziqesh dhe pasigurie.

Cilat do të jenë burimet e rritjes dhe si do të ndikojë pandemia COVID-19?
Duke gjykuar mbi premisat aktuale, rritja ekonomike gjatë vitit 2022 pritet të ketë një bazë të gjerë.

Në terma të kërkesës agregate, ne presim zgjerim të mëtejshëm të konsumit privat, të mbështetur nga rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit. Po ashtu, presim zgjerim të investimeve, si pasojë e ciklit pozitiv në të cilin gjendet sektori privat dhe vijimit të një plani ambicioz shpenzimesh publike. Së fundi, ne presim zgjerim të mëtejshëm të eksporteve të mallrave e shërbimeve, duke faktorizuar këtu si koniunkturën e favorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare për një sërë kategorish të eksporteve tona, ashtu dhe interesin në rritje për Shqipërinë si destinacion turizmi, dhe përmirësimin e infrastrukturës në vend.

Në terma të sektorëve të ekonomisë, ne vlerësojmë se zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime do të mundësojë rritjen e pothuajse të gjithë sektorëve kryesorë të ekonomisë, megjithëse disa prej tyre do të detyrohen të përballen me një faturë të rritur kostosh për produktet bazë dhe ato energjetike.

Kjo tablo do të vazhdojë të ushqehet nga një kombinim politikash monetare e fiskale stimuluese gjatë vitit 2022. Megjithatë, konsolidimi i faktorëve të rimëkëmbjes dhe kthimi i ekonomisë në ekuilibër nënkupton dhe nevojën për reduktimin gradual të stimujve, në interes të ruajtjes së ekuilibrave dhe të rikrijimit të hapësirës për reagim në të ardhmen.

Normalizimi i politikës fiskale është tashmë në proces, me miratimin e buxhetit të vitit 2022, i cili parashikon një korrektim të kursit fiskal. Ai do të plotësohet dhe me normalizimin gradual të qëndrimit të politikës monetare gjatë horizontit afatmesëm. Në çdo rast, dëshiroj të theksoj se politika jonë monetare do të synojë të mbështesë procesin e rimëkëmbjes dhe rritjen ekonomike, por pa kompromentuar objektivin tonë të inflacionit prej 3%.

Pbb Sektoriale 1015
Pbb Sektoriale 1015

Si i vlerësoni rreziqet nga tregu i brendshëm dhe faktorët e jashtëm në vitin 2022, në raport me vitin e kaluar?

Në një kuptim të përgjithshëm, mendoj se çdo politikëbërës në fushën e ekonomisë do të preferonte pozicionin ku ndodhemi tani, në raport me atë ku ndodheshim një vit më parë.

Po ta hedhim vështrimin prapa në kohë, do të shohim se Shqipëria dhe bota ishin duke u përballur me kulmin e valës së dytë të pandemisë në fillim të vitit 2021, ndërkohë që si kohëzgjatja e mëtejshme, ashtu dhe ndikimi i saj mbi ekonominë dhe stabilitetin monetar e financiar, ishin ende burime të forta pasigurie.

Tashmë, falë prezantimit dhe lëvrimit të vaksinave, mendoj se ne arrijmë të shohim një dritë në fund të tunelit në terma të emergjencës shëndetësore. Në të njëjtën linjë, disa nga treguesit kryesorë të stabilitetit monetar e financiar: stabiliteti i çmimeve, normat e interesit, kursi i këmbimit, treguesit e kredive me probleme, gjendja e likuiditetit dhe fluksi i kredisë, shfaqen në nivele të mira apo të pranueshme. Të gjithë këto dinamika ishin të panjohura të mëdha në fillim të vitit të shkuar.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se sfidat që kemi përpara janë të vogla.

Së pari, tendenca e rritjes së shpejtë të inflacionit në vend dhe në botë duket se ushqehet – në masën më të madhe – nga faktorë të ofertës, të cilët pritet të kenë efekt kalimtar. Këtu gjej me vend të theksoj se cilësimi “kalimtar” nënkupton një efekt që nuk i detyron bizneset dhe familjet të ndryshojnë sjellje apo të rishikojnë planet e tyre të konsumit e të biznesit, pra një efekt i cili nuk gjeneron pasoja të mëtejshme në çmime apo në aktivitetin ekonomik.

Megjithatë, vëmendja e autoriteteve publike duhet të jetë e lartë, për sa kohë dhe pasiguria mbetet e lartë. Monitorimi i kujdesshëm i zhvillimeve ekonomike dhe monetare do të mundësojë marrjen e vendimeve të duhura në kohën e duhur, për të mos lejuar që këto goditje oferte të nxjerrin ekonominë nga shinat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ekuilibrave monetare e financiare.

Së dyti, ndonëse në rënie, pandemia mbetet ende një shqetësim i pranishëm në sjelljen dhe vendimmarrjen tonë të përditshme. Shfaqja e varianteve të reja të virusit, potencialisht rezistente ndaj vaksinave, mbetet një rrezik i largët dhe i paneglizhueshëm nga vendimmarrësit.

Së treti, në planin global, pasojat e pandemisë, stimuli fiskal dhe injektimet masive të likuiditetit, janë pasqyruar në nivele të larta të borxhit publik dhe privat. Shëndeti i bilanceve të sektorit privat, në momentin e reduktimit të stimujve ekonomikë, është potencialisht një burim rreziku, i cili duhet monitoruar me sukses nga autoritetet.

Gjithsesi, pavarësisht rreziqeve dhe në linjë me skenarin tonë bazë, dëshiroj të theksoj se, për momentin, shpejtësia e rimëkëmbjes, gjerësia e burimeve të saj, si dhe stadi i ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit na bëjnë optimistë për të ardhmen.

Punesimi Indeks 1015
Punesimi Indeks 1015

Inflacioni mesatar gjatë vitit 2021 ishte 2% sipas INSTAT-it, nëse treguesi vijon të rritet përtej nivelit 3% në vitin 2022, a do të ndryshojë kursi i politikës monetare në drejtim të rritjes së normave të interesit?

Banka e Shqipërisë ka si objektiv primar ligjor të punës së saj stabilitetin e çmimeve, të nënkuptuar si një nivel inflacioni prej 3%. Ky angazhim është në fokus të politikës sonë monetare dhe diçka për të cilën ne nuk bëjmë kompromis.

Në lidhje me ecurinë e inflacionit, gjykimi ynë është se trendi rritës i tij pasqyron ndërveprimin e dy faktorëve.

-Nga njëra anë, rritja e kërkesës agregate dhe procesi i rimëkëmbjes kanë sjellë një rritje graduale, por të dallueshme, të punësimit, të pagave dhe të inflacionit bazë. Në përgjigje të këtij trendi, ne kemi konstatuar se inflacioni është në një rrugë të qëndrueshme konvergimi drejt objektivit dhe se ky objektiv pritet të arrihet në gjysmën e dytë të vitit 2022. Po ashtu, në përgjigje të tij, ne kemi komunikuar se qëndrimi i politikës monetare do të duhet të fillojë rrugën graduale drejt normalizimit gjatë vitit 2022. Ndonëse ky gjykim është i kushtëzuar nga shpejtësia dhe qëndrueshmëria e rimëkëmbjes, për momentin ai është ende i vlefshëm.

– Nga ana tjetër, gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar e sidomos në tremujorin e katërt, ne jemi përballur me rritje të shpejta të çmimeve të ushqimeve, të artikujve bazë, të kostove të transportit dhe të produkteve energjetike, në tregjet ndërkombëtare. Këto zhvillime janë pasqyruar edhe në tregun vendas, duke e sjellë inflacionin në nivelin 3.7% në muajin dhjetor. Informacioni që disponojmë sugjeron se tregjet do të normalizohen në gjashtëmujorin e parë të këtij viti dhe se efekti i goditjeve të huaja në inflacionin shqiptar do të jetë kalimtar. Kjo na shtyn të gjykojmë, për momentin, se politika jonë monetare nuk duhet të reagojë ndaj tyre.

Megjithatë, sikundër e thashë, ne po monitorojmë me kujdes situatën dhe, nëse konstatojmë se goditjet e ofertës kanë një ndikim më të fortë apo më të gjatë në kohë se pritjet tona aktuale, atëherë kjo mund ta na shtyjë në një normalizim më të shpejtë të qëndrimit të politikës monetare.

Komponente Te Kerkeses Indeks 1015
Komponente Te Kerkeses Indeks 1015

Banka e Shqipërisë është duke zbatuar një strategji për sistemet e pagesave. Ju lutem na thoni nëse po zgjerohet përfshirja e qytetarëve në shërbimet bankare dhe me çfarë kostosh?

Strategjia Kombëtare e Pagesave me Vlerë të Vogël (2018-2023) synon zgjerimin e shkallës së përfshirjes financiare të popullsisë nga pikëpamja e pagesave, duke e konsideruar si hapin e parë dhe të rëndësishëm në këtë drejtim, nëpërmjet dy objektivave të matshëm:

rritjes së numrit të popullsisë në moshë madhore që zotëron një llogari pagese (duke synuar rritjen e këtij treguesi në masën 70% në vitin 2023, nga 40% që ishte në vitin 2014); dhe,
përdorimit të llogarive të pagesës në një mënyrë më efikase, nëpërmjet instrumenteve elektronike të pagesave, të cilat rezultojnë më pak të kushtueshme për përdoruesin dhe ekonominë në tërësi, duke parashikuar një rritje të numrit aktual të pagesave jo me para fizike (cash) për frymë me 130% (duke e çuar në 10 pagesa për frymë deri në fund të vitit 2023, nga 4.3 pagesa për frymë në fund të vitit 2016).
Vlen të përmendet se, në mes të rrugëtimit drejt përmbushjes së këtij plani veprimi, mund të thuhet se janë realizuar më shumë se 70% e masave të parashikuara dhe efektet e materializuara deri tani në treg kanë bërë të mundur përmbushjen pothuajse të plotë të objektivave që në vitin 2021. Bazuar në këto zhvillime, si dhe në pritjet për efektivitetin shtesë të masave të marra deri më tani dhe në vijim, ne jemi mjaft optimistë për tejkalimin e objektivave tanë.

Masat e ndërmarra deri më tani, të cilat vlerësohet të kenë një efekt të rëndësishëm në treg, janë ligji “Për shërbimet e pagesave” dhe projektligji “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, së bashku me projekt-rregulloren “Mbi transparencën për tarifat e lidhura me llogarinë e pagesës dhe mbi shërbimin e transferimit të llogarive të pagesës”.

Këto akte ligjore e rregullatore do të kontribuojnë në ridimensionimin e veprimtarisë aktuale të institucioneve financiare jobanka, të cilat ofrojnë shërbime pagesash dhe transfertash, duke nxitur konkurrencën në treg dhe duke promovuar inovacionin. Gjithashtu, ndikim të rëndësishëm ka edhe në kuadër të mbrojtjes së konsumatorit, që bëhet edhe më domethënëse për një treg me edukim dhe përfshirje financiare të cunguar.

Një efekt të drejtpërdrejtë në nxitjen e përfshirjes financiare do të ketë edhe prezantimi i një produkti si llogaria me karakteristika bazike, e cila nuk mbart, ose mbart kosto minimale, për personat të cilët vlerësohet se nuk kanë asnjë qasje në institucionet bankare, duke synuar përmbushjen e plotë dhe tejkalimin e objektivit kryesor të Strategjisë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023), atë të nxitjes së përfshirjes financiare të popullsisë.

Nga pikëpamja e zhvillimeve infrastrukturore vlen të përmendet operacionalizimi i skemës ndër-Ofruesish të Shërbimeve të Pagesave për “Debitimin Direkt”, e cila mundëson që kompanitë utilitare të përdorin vetëm një llogari pagese për të mbledhur detyrimet e klientëve të tyre në të gjithë tregun, me qëllim një administrim më efikas të likuiditetit, si dhe krijon fleksibilitet për klientët, duke mundësuar përdorimin e instrumentit, pavarësisht nëse banka apo institucioni financiar jobankë ka marrëveshje me kompaninë utilitare në të cilën klienti dëshiron të kryejë pagesa.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është dhe operacionalizimi i sistemit AIPS EURO për shlyerjen e pagesave në Euro brenda vendit për klientët e bankave. Kjo platformë, e cila do të jetë funksionale, duke filluar nga data 24 janar e këtij viti, ka për qëllim t’u mundësojë qytetarëve shqiptarë kryerjen e pagesave në Euro brenda vendit, me kosto shumë më të ulët dhe brenda një afati shumë më të shkurtër nga procesi aktual i kryer nëpërmjet bankave korrespondente. Gjithashtu, ky projekt vlerësohet të ketë efekte pozitive edhe nga pikëpamja e administrimit të parasë fizike Euro nga ana e bankave.

Euro Lek 1015
Euro Lek 1015

Sistemi bankar në vend ka hyrë në një fazë konsolidimi vitet e fundit. A ka vend për zhvillime të mëtejshme në këtë drejtim?

Gjatë 2-3 viteve të fundit patëm një konsolidim të sektorit bankar. Nga 16 banka në vitin 2015, këtë vit do të kemi 11 të tilla, më të mëdha dhe me më shumë potencial për të mbështetur ekonominë e vendit. Praktikisht, sot kemi 5 banka të mëdha, të cilat zotërojnë secila mbi 10% të tregut bankar, nga të cila 3 janë banka europiane.

Procesi i konsolidimit të sistemit u realizua i qetë, pa shqetësime për klientët e tij dhe pa asnjë deformim të tregut. Treguesit financiarë të të gjitha bankave të përfshira në procesin e përthithjes erdhën në përmirësim, si në drejtim të treguesve të qëndrueshmërisë, ashtu edhe në drejtim të rritjes së nivelit të biznesit.

Në gjykimin tim, procesi i konsolidimit nuk ka qenë dhe nuk duhet fokusuar në numrin e bankave, por në krijimin e institucioneve bankare eficiente, të shëndetshme dhe konkurruese, të afta e të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të tregut, si në drejtim të gamës së shërbimeve që ofrojnë, ashtu dhe në drejtim të kostove të tyre.

Sektori bankar aktualisht është në një fazë ku aktorët më të rëndësishëm janë pozicionuar në treg, kanë ndërtuar strategjitë e tyre dhe janë duke u përpjekur për të arritur objektivat e tyre, duke u përballur me konkurrencën në rritje.

Konsolidimi i sistemit bankar
Procesi i konsolidimit nuk ka qenë dhe nuk duhet fokusuar në numrin e bankave, por në krijimin e institucioneve bankare eficiente, të shëndetshme dhe konkurruese, të afta e të gatshme për t’iu përgjigjur nevojave të tregut, si në drejtim të gamës së shërbimeve që ofrojnë, ashtu dhe në drejtim të kostove të tyre

Treguesi i kredive me probleme është ulur në mënyrë sistematike, por rritja e kreditimit në disa sektorë, të tillë si ndërtimi, a e rrit ekspozimin e sistemit ndaj rreziqeve, veçanërisht NPL-ve?

Pasi arriti një nivel maksimal prej 25% në fillim të vitit 2015, treguesi i kredive me probleme ka ardhur në rënie të vazhdueshme në periudhën vijuese, duke zbritur në minimumin prej 5.65% në fund të vitit 2021.

Rënia e vazhdueshme e raportit të kredive me probleme është rezultat i masave të marra nga Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me aktorë të tjerë publikë dhe industrinë bankare. Këto masa kanë synuar adresimin e stokut të trashëguar të kredive me probleme, përmirësimin e rregulloreve dhe procedurave, me synim reduktimin e kredive të reja me probleme, si dhe monitorimin e vazhdueshëm të ecurisë së portofolit të kredive.

Masat e marra kanë qenë si të natyrës juridiko-ligjore, ashtu edhe institucionale. Banka e Shqipërisë rriti ndërgjegjësimin e strukturave shtetërore dhe private në lidhje me rëndësinë e këtij treguesi, si pengesë e zhvillimit të biznesit të bankave në përgjithësi, dhe e rritjes së kreditimit në veçanti.

Plani Kombëtar i masave, i hartuar nga një grup i përbashkët pune mes Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera publike e private, përcaktoi një sërë ndryshimesh ligjore e rregullatore. Rishikimi i kuadrit ligjor në këto vite ka ndihmuar bankat në administrimin e problematikave të portofolit të tyre, duke zgjidhur ngërçe ligjore, apo edhe interpretime juridike.

Masat e natyrës rregullatore e prudenciale kanë ofruar mundësinë për adresimin e problematikave të brendshme të bankave nëpërmjet ristrukturimeve më efektive të brendshme, apo edhe largimin nga bilanci të huave të humbura me pamundësi pagimi. Ndërkohë, ne punuam për përmirësimin e bazës rregullatore, proceseve e procedurave që kryejnë vlerësimin dhe administrimin e rrezikut në veprimtarinë bankare, duke frenuar fluksin e kredive të reja me probleme.

Ndonëse gjatë këtyre viteve kemi kaluar ngjarje si kriza e sistemit financiar në Greqi, konsolidimi i sistemit bankar apo edhe pandemia e dy viteve të fundit, bankat kanë vijuar të përmirësojnë cilësinë e portofolave, si dhe të rrisin nivelin e veprimtarinë e tyre. Pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë monitoron dhe sigurohet në mënyrë të vazhdueshme që ato të kenë infrastrukturën e nevojshme për të përballuar rreziqet e mundshme.

NPL-të
Pasi arriti një nivel maksimal prej 25% në fillim të vitit 2015, treguesi i kredive me probleme ka ardhur në rënie të vazhdueshme në periudhën vijuese, duke zbritur në minimumin prej 5.65% në fund të vitit 2021.

Përdorimi i tepërt i valutës në ekonomi, jo rrallë edhe si mjet pagese, mbetet një nga burimet e rëndësishme të rrezikut financiar dhe ndikon në uljen e efektivitetit të politikave ekonomike dhe financiare, çfarë mjetesh shtesë mund të ndërmerren për ta ulur përdorimin e saj?

Banka e Shqipërisë e ka identifikuar me kohë shkallën e lartë të përdorimit të valutës në transaksione ekonomike apo financiare, si një burim rreziku dhe ineficience në ekonomi.

-Burim rreziku sepse mbajtja – në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme – e pozicioneve të hapura në bilancet e bizneseve dhe të familjeve, rrit rrezikun që sjellin luhatjet e kursit të këmbimit në shëndetin e tyre financiar. Për aq sa është e mundur, aktiviteti ekonomik dhe financiar i çdo biznesi apo familjeje duhet të bëhet, në maksimumin e mundshëm, në një monedhë të vetme. Në mënyrë të natyrshme, kjo monedhë duhet të jetë monedha jonë kombëtare, Leku.

-Burim ineficience, sepse niveli lartë i përdorimit të valutës redukton efektivitetin e politikës sonë monetare, duke i mohuar ekonomisë efektivitetin e plotë të një prej instrumenteve kryesore që ka për përballimin e goditjeve. Po ashtu, burim ineficience sepse kthimi mbi kursimet në valutë për familjet është më i ulët në krahasim me atë që mund të merrnin nga kursimet në Lek, pasi normat rregullatore të likuiditetit për sektorin bankar mund të ishin më të ulëta, dhe pasi vendi humb një burim të ardhurash nga qarkullimi i një monedhe të huaj.

Në përgjigje të këtij konstatimi, Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një paketë masash për nxitjen e përdorimit të monedhës kombëtare në aktivitetin financiar. Efektet e kësaj pakete janë deri tani inkurajuese. Struktura valutore e kreditimit ka arritur pothuajse paritetin midis Lekut dhe valutës, nga një raport 3/1 në favor të valutës para pesë vitesh. Në të njëjtën kohë, këto masa kanë shmangur një devijim të fortë në favor të valutës së kursimeve financiare, duke i bërë në të njëjtën kohë më të shëndosha bilancet valutore të bankave.

Megjithatë, sikundër e thatë dhe ju, Banka e Shqipërisë nuk mund ta përmbushë e vetme këtë objektiv.

Së pari, mendoj se të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të shpjeguar në publik rreziqet që ka huamarrja në valutë për bizneset të cilat i kanë të ardhurat në Lek, apo për të shpjeguar avantazhet afatgjata që ofron për një investitor ruajtja e kursimeve në monedhën kombëtare.

Së dyti, në sferën e aktivitetit të saj, qeveria duhet të shohë mundësinë e reduktimit të hapësirave ligjore apo rregullatore që fillimisht inkurajojnë e më pas mundësojnë përdorimin e valutës si mjet transaksionesh.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka qenë dhe mbetet e angazhuar të japë kontributin e saj, si në formën e konsulencës, ashtu dhe të masave shtesë, nëse do të gjykohen të nevojshme.

Reduktimi i valutës në ekonomi
Banka e Shqipërisë nuk mund ta përmbushë e vetme këtë objektiv. Së pari, mendoj se të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të shpjeguar në publik rreziqet që ka huamarrja në valutë për bizneset të cilat i kanë të ardhurat në Lek, apo për të shpjeguar avantazhet afatgjata që ofron për një investitor ruajtja e kursimeve në monedhën kombëtare. Së dyti, në sferën e aktivitetit të saj, qeveria duhet të shohë mundësinë e reduktimit të hapësirave ligjore apo rregullatore që fillimisht inkurajojnë e më pas mundësojnë përdorimin e valutës si mjet transaksionesh.

Banka e Shqipërisë ka nxjerrë serinë e re të kartëmonedhave dhe midis saj, edhe prerjen më të re, atë 10 mijë lekë. Çfarë pritet me hedhjen në treg të kësaj serie? Pse u mor ky vendim kur tendenca është për reduktimin e ekonomisë së cash-it?

Pas një pune 5-vjeçare, Banka e Shqipërisë realizoi një seri të re të kartëmonedhave, të përberë nga 6 të tilla: 200, 500, 1000, 2000, 5000, dhe 10 000 lekë. Seria e re vjen për publikun dhe operatorët ekonomikë, pas 25 vjetësh nga prezantimi në vitin 1996 i serisë se mëparshme.

Seria e re ruan të njëjtën tematikë, por të riformatuar, me ngjyra dhe dizajn të përmirësuar, në madhësi më të përshtatshme (të reduktuar), dhe – ajo çka është kryesorja – me elemente sigurie tepër të avancuara. Teknologjia e përdorur për prodhimin e tyre përfaqëson teknologjinë më të fundit me të cilën janë prodhuar kartëmonedhat e vendeve perëndimore.

Duke filluar nga muaji korrik 2021, Banka e Shqipërisë ka hedhur në qarkullim kartëmonedhën 10 000 lekë, si kartëmonedha me vlerën më të lartë. Shtypja dhe hedhja në qarkullim e saj, pasqyron stadin e zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe nevojën e përshtatjes së strukturës së kartëmonedhave me evoluimin e strukturës së çmimeve dhe pagave.

Prezantimi dhe hedhja e saj në qarkullim ka sjellë rritjen e efikasitetit të parasë së gatshme, duke ndihmuar strukturën e monedhës në qarkullim, duke ulur kostot e prodhimit, të magazinimit dhe të shpërndarjes, si dhe duke ndihmuar në krijimin dhe administrimin e një stoku strategjik më të përshtatshëm për të përballuar raste të rritjeve të paparashikuara të kërkesës së tregut për para fizike.

Periudha më shumë se gjashtëmujore e hedhjes në treg të kësaj kartëmonedhe, tregoi më së miri nevojën për të në strukturën e monedhës kombëtare, duke konfirmuar konkluzionet e studimeve tona.

Pavarësisht zhvillimit të mjeteve të tjera të pagesës, si ato elektronike, paraja në qarkullim dhe transaksionet me para cash vijojnë të mbeten të larta. Reduktimi i tyre është një proces që kërkon kohë dhe duhet të paraprihet nga reduktimi i ekonomisë informale, si dhe të shoqërohet me përmirësimin e sistemit elektronik të pagesave dhe rritjen e edukatës financiare në përdorimin e tyre.

Inflacioni Vjetor 1015
Inflacioni Vjetor 1015

Ka një trend global që po udhëhiqet nga bankat për të kanalizuar burimet financiare drejt ekonomisë së gjelbër dhe të qëndrueshme. A kanë nisur në Shqipëri këto përpjekje dhe çfarë hapësirash ka për to?

Frenimi i ngrohjes globale apo i ndryshimeve klimatike, është një nga sfidat më të mëdha të njerëzimit. Adresimi i saj kërkon ndërgjegjësim dhe përpjekje të koordinuara nga të gjitha vendet, por këtu – në mënyrë të natyrshme – rolin primar duhet ta luajnë vendet e zhvilluara e të industrializuara. Kjo, së pari, sepse këto vende kanë dhe ndikimin më të madh në ngrohjen globale dhe, së dyti, sepse ato disponojnë më shumë resurse financiare për përballimin e kostove të transformimit teknologjik dhe social.

Shqipëria, për specifikat e saj ku spikat prodhimi i energjisë nga burime hidrike apo të rinovueshme, është një ndër vendet me gjurmën më të vogël në emetimin global të dioksidit të karbonit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet ta mbajmë parasysh këtë fenomen në politikat tona të zhvillimit.

Ne jemi konsumatorë të pasojave të ngrohjes globale, si në drejtim të luhatshmërisë në rritje të klimës ashtu dhe në drejtim të erozionit natyror që vjen nga rritja e nivelit të deteve. Po ashtu, politikat rregullatore, në nivel europian dhe botëror, kanë filluar të bëhen gjithnjë e më diskriminuese ndaj produkteve të cilat mbështeten në procese joeficiente energjetike, apo të cilat kanë ndikim të lartë mjedisor. Shkëputja e vëmendjes nga këto trende do ta vendoste ekonominë tonë në një disavantazh konkurrues.

Në këtë kontekst, gjej me vend të theksoj se sektori ynë bankar ka dhënë një kontribut jo të vogël në financimin e hidrocentraleve dhe ka interes në rritje për projekte të energjisë së rinovueshme. Ne do të monitorojmë ecurinë e këtij procesi, duke synuar të stimulojmë orientimin e fondeve financiare në këtë drejtim, pa cenuar efektivitetin e procesit të ndërmjetësimit financiar dhe shëndetin e bilancit të bankave.

Së fundi, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë, në Strategjinë e saj Afatmesme të Zhvillimit për periudhën 2022-2024, është angazhuar të ndërmarrë studime konkrete për të vlerësuar ndikimin potencial që ndryshimet klimatike mund të kenë në mjedisin ekonomik dhe financiar të vendit, për t’i paraprirë marrjes në kohë të masave, nëse do të jetë e nevojshme.

Normat Kryesore Te Interesit Ne Lek 1015
Normat Kryesore Te Interesit Ne Lek 1015

Shqipëria vijon përpjekjet me synim integrimin në BE. Në kontekstin e politikave monetare, çfarë është arritur deri më tani dhe çfarë duhet të përmirësohet?

Raportet e Komisionit Europian, por edhe analizat tona të brendshme, evidentojnë se sektori bankar dhe sistemi financiar janë ndër sektorët pararojë në procesin e integrimit europian.

Më lejoni të theksoj se vendi ynë është mjaft afër plotësimit të kritereve nominale të konvergjencës, sikundër janë parashtruar në Traktatin e Maastrichtit, të cilat i referohen stabilitetit të çmimeve, qëndrueshmërisë së kursit të këmbimit të monedhës kombëtare kundrejt Euros, dhe nivelit të normave afatgjata të interesit. Përtej tyre, kuadri ligjor dhe rregullator i politikës monetare, i mbikëqyrjes dhe i rregullimit të sektorit bankar, si dhe i infrastrukturës së sistemit të pagesave, janë në një proces gradual konvergjence me Acquis Communitaire.

Në veçanti, politika jonë monetare plotëson disa nga kriteret esenciale të kërkuara nga legjislacioni i Bashkimit Europian, ku spikat fokusi primar mbi stabilitetin e çmimeve, hartimi dhe zbatimi në mënyrë të pavarur të politikës monetare, si dhe operacionalizimi i kësaj të fundit tërësisht me instrumente të tregut të lirë.

Megjithatë, Banka e Shqipërisë është e ndërgjegjshme për hendeqet që ekzistojnë ende në këtë drejtim, të cilat kërkojnë ndërhyrje të mëtejshme në kuadrin ligjor, dhe do të jenë pjesë integrale e punës sonë në procesin e negociatave për anëtarësim.

Deri më tani, Banka e Shqipërisë ka përmbushur në një shkallë të kënaqshme angazhimet që rrjedhin nga Plani Kombëtar i Integrimit të Vendit. Ne kemi një pjesëmarrje aktive në takimet me Nënkomitetet përkatëse të BE-së, drejtojmë grupe ndërinstitucionale pune për përafrimin e dy kapitujve të Acquis, dhe jemi pjesë e grupeve të tjera të punës për adoptimin e pesë kapitujve të tjerë, duke përfshirë dhe atë të Kriterit Ekonomik.

Kredia Per Sektorin Privat 1015
Kredia Per Sektorin Privat 1015

Ekspansioni fiskal i qeverisë e ka çuar borxhin publik në nivele të larta historike, në një kohë që burimet për uljen e tij janë të kufizuara. Çfarë u sugjeroni autoriteteve fiskale në drejtim të administrimit të fondeve publike?

Pozicioni i Bankës së Shqipërisë ndaj politikës fiskale dhe nivelit të borxhit publik ka qenë i qartë. Ne e kemi mbështetur nevojën për stimul fiskal, në kulmin e goditjes nga pandemia, duke e konsideruar atë një instrument të domosdoshëm për shmangien e pasojave afatgjata negative në ekonomi. Në linjë me rritjen e qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes ekonomike, kemi theksuar nevojën e reduktimit gradual të këtij stimuli dhe rifokusimin e politikës fiskale drejt uljes së borxhit dhe konsolidimit të financave publike.

Rritja e borxhit publik gjatë krizës është një fenomen i gjithanshëm botëror; Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo dhe as nuk renditet ndër vendet me rritjen më të lartë të borxhit publik. Kjo është evidentuar dhe nga agjencitë e renditjes së rrezikut të borxhit publik, të cilat kanë lënë të pandryshuar vlerësimin e tyre mbi borxhin shqiptar.

Megjithatë, është fakt se Shqipëria është një ndër vendet me nivel më të lartë të borxhit publik në rajon, dhe kjo është një ndër dobësitë primare të shëndetit tonë financiar. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se – në mungesë të goditjeve të tjera të krahasueshme me pandeminë – vëmendja e financave publike duhet të kthehet drejt uljes së borxhit, në nivele të tilla që minimizojnë ndikimin e luhatjeve të tregjeve financiare në shëndetin e financave publike dhe rrisin hapësirën e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen.

Adoptimi i një angazhimi ligjor për arritjen dhe ruajtjen – duke filluar nga viti 2023 – të një balance primare fiskale pozitive është një hap i duhur në këtë drejtim. Në këtë kontekst, këshilla jonë është që ky konsolidim të bazohet më tepër në rritjen e qëndrueshme të të ardhurave publike, nëpërmjet adoptimit dhe zbatimit të strategjisë afatmesme të të ardhurave publike, dhe më pak në reduktimin e investimeve publike.

Në një kontekst më afatgjatë, ne kemi theksuar nevojën e adoptimit të një procesi formal të vlerësimit të eficiencës se investimeve publike dhe të përdorimit me prioritet të fondeve për financimin e tyre, duke përfshirë në këtë proces dhe programet e Partneritetit Publik e Privat.

Mendoj se ky pozicion i yni është i qartë dhe se këshillat tona – të cilat janë në linjë dhe me ato të partnerëve ndërkombëtarë – formojnë një kuadër të mirë për rritjen e qëndrueshmërisë dhe efektivitetit të financave publike.

Konsolidimi fiskal
Shqipëria është një ndër vendet me nivel më të lartë të borxhit publik në rajon, dhe kjo është një ndër dobësitë primare të shëndetit tonë financiar. Në këtë kontekst, ne gjykojmë se – në mungesë të goditjeve të tjera të krahasueshme me pandeminë – vëmendja e financave publike duhet të kthehet drejt uljes së borxhit, në nivele të tilla që minimizojnë ndikimin e luhatjeve të tregjeve financiare në shëndetin e financave publike dhe rrisin hapësirën e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen.

Ekonomia shqiptare ka mbetur në kurthin e produktivitetit të ulët. Cili është sugjerimi i Bankës së Shqipërisë për modelin ekonomik që duhet ndjekur, në mënyrë që të rritet vlera e shtuar në ekonomi?

Në gjykimin tim, modeli ekonomik i Shqipërisë ka ardhur drejt përmirësimit në dekadat e fundit.

Kjo shihet te diversifikimi i burimeve të rritjes dhe i strukturës prodhuese, e cila tashmë përfshin sektorë me potencial zhvillimi – si eksportet, industria, turizmi – por edhe te zhvillimi i sistemit financiar, i cili ka shtuar gamën e shërbimeve dhe produkteve financiare, në përgjigje të kërkesave nga ekonomia reale.

Me gjithë përmirësimin e arritur, mendoj se rritja e qëndrueshme dhe konvergjenca ekonomike me vendet e Bashkimit Europian, kërkon fuqizimin e burimeve të rritjes dhe adresimin e dobësive strukturore, nëpërmjet ndërmarrjes së reformave të gjithanshme. Këto të fundit duhet të synojnë sofistikimin e strukturës së ekonomisë dhe ndryshimin e ambientit ligjor e institucional që përcakton nivelin dhe kompozimin e investimeve në vend.

Disa prej prioriteteve të aksionit tonë të përbashkët në këtë drejtim duhet të jenë reformat, të cilat synojnë:

përmirësimin e klimës së biznesit, me fokus të veçantë në të drejtën e pronësisë, në shkallën e respektimit të kontratave, dhe në rritjen e shpejtësisë dhe eficiencës së gjyqësorit;
rritjen e eficiencës e të produktivitetit, ndër të tjera nëpërmjet: (i) mbështetjes e incentivimit të ekonomisë së dijes, investimeve të mëtejshme në arsim dhe shëndetësi, si dhe forcimit të lidhjeve midis institucioneve akademike dhe tregut të punës, (ii) reduktimit të informalitetit e të korrupsionit, si dhe, (iii) promovimit të konkurrencës midis dhe brenda sektorëve;
vijimin e punës për adoptimin e standardeve të Bashkimit Europian, pavarësisht shpejtësisë së progresit të procesit formal të integrimit, si dhe rritjen e integrimit rajonal;
përmirësimin e mëtejshëm të infrastrukturës publike, si në formën e saj fizike, ashtu dhe në atë dixhitale, si dhe integrimin e saj në infrastrukturën rajonale dhe më gjerë; si dhe,
zgjerimin dhe sofistikimin e mëtejshëm të sistemit financiar.
Unë besoj se progresi në këto drejtime do të rriste nivelin e potencialit të ekonomisë shqiptare dhe konkurrueshmërinë e saj.

Raporti I Kredive Me Probleme Ndaj Totalit 1015
Raporti I Kredive Me Probleme Ndaj Totalit 1015

Cilat janë prioritetet e Bankës së Shqipërisë në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme? Si po përshtatet banka jonë qendrore me normalitetin e ri të krijuar pas pandemisë?

Në radhë të parë, më lejoni të theksoj se Banka e Shqipërisë ka qenë dhe do të mbetet e fokusuar në përmbushjen e detyrave të saj ligjore. Këto detyra i referohen:

së pari, ruajtjes së stabilitetit të çmimeve;

së dyti, mbikëqyrjes e rregullimit bankar, me synim krijimin e një sektori bankar të sigurt dhe eficient;

dhe, së fundi, përmbushjes së një sërë detyrash dhe angazhimesh institucionale, të cilat prekin pothuajse të gjitha sferat e veprimtarisë së tregjeve financiare në veçanti dhe aktivitetit ekonomik në tërësi.

Më lejoni të jem disi më specifik.

Në drejtim të stabilitetit të çmimeve, mendoj se goditjet e forta me të cilat po përballemi duhen adresuar me kujdes. Ndonëse politika monetare e Bankës së Shqipërisë nuk do të bëjë kompromis me përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve, ne do të kujdesemi të faktorizojmë në vendimmarrjen tonë dhe nevojën e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike.

Në fushën e mbikëqyrjes dhe rregullimit bankar, fokusi i punës sonë do të jetë njehsimi i plotë i kuadrit tonë rregullator me standardet e Bashkimit Europian, promovimi i një mjedisi konkurrues, por të mirëmonitoruar, në fushën e veprimtarisë bankare. Në vizionin tim, sektori bankar duhet të mbetet një promotor i zhvillimit ekonomik dhe progresit social, por dhe një vektor i rëndësishëm i integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Në fushën e sistemit financiar, sfida e Bankës së Shqipërisë duhet të jetë zhvillimi i mëtejshëm i infrastrukturës së pagesave, zhvillimi i mëtejshëm i të gjitha segmenteve të tregut monetar, si dhe rritja e shkallës së përfshirjes dhe edukimit financiar të publikut.

Në një aspekt më strategjik, prioritet i rëndësishëm i punës sonë do të jetë mbështetja e procesit të integrimit europian. Çelja e negociatave, si hap paraprak i procesit të anëtarësimit, do të kërkojë investim të rëndësishëm vëmendjeje dhe resursesh njerëzore. Megjithatë, në vizionin tim dhe të institucionit që drejtoj, procesi i integrimit europian duhet parë si investimi më i rëndësishëm që mund të bëjmë për të ardhmen tonë dhe të brezave që do të na pasojë.

Po ashtu, një sfidë e së ardhmes mbetet promovimi i një konkurrence të ndershme e të drejtë, midis segmenteve të ndryshme të tregut financiar, duke nënkuptuar harmonizimin e kuadrit rregullator dhe të praktikave mbikëqyrëse të të gjitha segmenteve të këtij tregu.

Së fundi, një ambicie e jona e përhershme ka qenë dhe mbetet adoptimi i standardeve më të mira të fushës, në drejtim të transparencës dhe komunikimit. Ky prioritet do të promovojë një kuptim më të gjerë e më të saktë të politikave dhe nismave tona, duke ndikuar direkt në rritjen e shanseve të suksesit të tyre.

Sa i takon pandemisë, mendoj se përvoja që përftuam gjatë saj do të na shërbejnë për rishikimin e një pjese të proceseve të punës, kryesisht në drejtim të rritjes së fleksibilitetit që duhet të kenë procedurat tona operacionale.

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se Banka e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një institucion model, të pajisur me standardet më të mira të banking-ut qendror dhe të sistemit europian të bankave qendrore. Kjo qasje duhet të informojë çdo vendimmarrjeje të Bankës së Shqipërisë, si dhe çdo përpjekje për zhvillimin e brendshëm institucional.

E ardhmja
Banka e Shqipërisë i ka të gjitha mundësitë të shndërrohet në një institucion model, të pajisur me standardet më të mira të banking-ut qendror dhe të sistemit europian të bankave qendrore. Kjo qasje duhet të informojë çdo vendimmarrjeje të Bankës së Shqipërisë, si dhe çdo përpjekje për zhvillimin e brendshëm institucional.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb