Kryetarja e deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani firmosi 2 shkarkime këtë të premte, emra të njohur si besnikë të kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Me një urdhër të firmosur prej saj, për shkak të kompetencave që ushtron përkohësisht, Ristani vendosi të shkarkojë nga detyra nënkryetaren e Bashkisë Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Bashkisë, Alban Dokushi.

Goxhaj dhe Dokushi, njiheshin si dy prej njerëzve më të besuar të kryebashkiakut të arrestuar nën dyshimet për korrupsion e pastrim parash.

BalkanWeb mëson se në vend të Dokushit me urdhër të Ristanit është komanduar si Sekretare të Përgjithshme e Bashkisë së Tiranës, Jonida Halili. Kjo e fundit mbante detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.

Përplasje Rama-Veliaj?
Përplasja mes palëve erdhi pasi Veliaj me datë 18 firmosi një urdhër duke ia deleguar kompetencat e drejtimit të Bashkisë, Sara Goxhajt, dhe shkarkoi Anuela Ristanin.

Kryeministri Edi Rama refuzoi protokollimin dhe Veliaj e shfuqizoi urdhrin duke rikthyer sërish Ristanin dhe foli për një “keqkuptim” për shkak të mungesës së komunikimit, pasi ndodhet në kushtet e izolimit.

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj mbahet nën arrest që prej 10 shkurtit pasi është nën hetim bashkë me bashkëshorten dhe një grup biznesmenësh për pastrim parash e korrupsion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb