Shtëpitë pa leje që preken nga planet urbanistike të rindërtimit do të kompensohen 100% për sipërfaqet e banueshme në objektet e reja. Në një intervistë për News 24 ministri Arben Ahmetaj thotë se vendimi i qeverisë është marrë në kuadër të programit të rindërtimit dhe i referohet ndërtimeve pa leje që nuk janë të legalizuara dhe ndodhen brenda zonave të detyruara për zhvillim.

“I jep mundësinë nëpërmjet shpronësimit me shkëmbim që të gjitha ato familje që gjenden brenda zonave të detyruara për zhvillim në kuadër të rindërtimit por që nuk kanë legalizim të kompensohet 100% të m2”, tha Ahmetaj.

Sipas ministrit Ahmetaj, brenda programit të rindërtimit janë përcaktuar edhe efektet financiare. Deri tani vetëm në zonën e “5 Majit” janë evidentuar 192 ndërtime pa leje.

“Aty në bazë të planit të detyruar vendor për zhvillim, do të ketë një zhvillim komunitar shumë të gjerë më ambiente komunitare dhe komerciale. Praktikisht në një skenar të djeshëm ato familje 40% e 192 banesave që nuk kanë dokumente legalizimi praktikisht do duhet të merrnin 50% të metrave katror që kishin ndërkohë që zgjidhje që kemi ofruar është një zgjidhje e drejtë”, deklaroi ministri.

Renditjen në vendin e pestë në listën e kandidatëve për qarkun Tiranë për zgjedhjet e 25 prillit, zonë e cila konsiderohet e sigurt për fitoren e mandatit, Arben Ahmetaj e konsideron vlerësim nga ana e kryeministrit.

“Unë jam kandidat për deputet në listën e qarkut të Tiranës dhe është vlerësim dhe besim nga ana e kryeministrit të jem në listë me numrin 5”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb