Në kantierin e rindërtimit të Kampusit të Universitetit Bujqësor punohet për të përfunduar sa më shpejt 8 godinat e reja. 2200 studentë do të jetojnë në kushte optimale, si në konviktet më cilësore në Europë.

Për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punimeve ishte sot në kantier, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

“Kemi parashikuar që gjysma e objekteve të jenë gati që këtë shtator, në varësi se si do shkojë procesi i vaksinimit dhe kur do rihapen universitetet. Gjysmat do jenë gati, duke patur parasysh që ditën që i prishëm 8 nga 9 godinat ishin të zaptuara dhe vetëm 1 ishte me 100 studentë. Tani do kthehen të 8-ta për 2200 studentë. Ajo që ne parashikojmë është që përveç Universitetit Bujqësor, duke qenë se kushtet janë shumë të mira, edhe nga fakultete e universitete të tjera të kërkohet që të transferohen këtu. Ajo që ne kemi vënë re është që është rritur vlera e të gjithë pronave përreth”, – u shpreh Veliaj, ndërsa shtoi se dy katet e para të godinave do të vihen në dispozionin të Universitetit për plotësimin e mjediseve që mungojnë, si zyra këshillimi, laboratorë praktike, etj.

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se Kampusi do të shërbejë edhe si qendër komunitare.

“Është pjesë e Paktit për Universitetin dhe një investim prej 10 milionë dollarësh nga qeveria shqiptare, që do të presë 2200 studentë. Do të kthehet edhe në një qendër komunitare e do të jenë e përdorshme nga e gjithë njësia”, – u shpreh Ahmetaj.

Ndërsa Rama krahasoi punën që po bëhet në këtë kantier, me atë që po zhvillohet në të gjithë sektorët  e vendit.

“Të shtunë, të dielë, ky kantier është si Shqipëria sot, në ekonomi, në arsim, në shëndetsi, në turizëm, në bujqësi. Pyetja në 25 prill është do të vazhdojmë ta çojmë dedri në fund, apo do të ndalemi dhe të kthehemi mbrapa. Do vazhdojmë pa u lodhur edhe pse e ndjejmë që ngjitja, sa më shumë ngjitesh, aq më sfiduese bëhet, apo do gjejmë rrugë të shkurtra që si gjithmonë të nxjerrin  gjatë. Ky nuk është  një kantier ku të gjithë mund të vijnë dhe të banojnë të lumtur, por ama është një kantier që preket qartësisht, që e ardhmja është këtu dhe e ardhmja po ndërtohet këtu”, u shpreh Rama.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb