Tirana ka lënë pas dështimin në marrjen e trofeve dhe kërkon të ndërtojë një ekip cilësor si për aventurën evropiane, ashtu edhe për sezonin e ri. Puna nisi me rinovimin me trajnerin Orges Shehi, me teknikun durrsak që kishte si kusht afrimin e disa lojtarëve të spikatur në kampionatin shqiptar dhe jo vetëm.

Dy të parët që po lakohen ditët e fundit janë Erdenis Gurishta i Vllaznisë dhe Edison Ndreca i Kukësit. Për kapitenin shkodran interesohen edhe klube të tjera, ndaj bardheblutë duhet të përpilojnë një ofertë që të mos refuzohet. Për Ndrecën duket më e lehtë, por gjithsesi, mbrojtësi po pret çfarë projekti do të ketë Kukësi.

Por nuk janë vetëm këta dy lojtarë që po ndiqen nga Tirana. Bardheblutë janë pranë nënshkrimit me kapitenin e Shkëndijës së Tetovës, Egzon Bejtullai, por edhe me mbrojtësin e Bylisit, Aleksandër Trumçi. Ndërkohë që i janë rikthyer edhe një piste të vjetër, si Stenio Zhunior, ish-sulmuesin e Partizanit, që kohët e fundit ka luajtur në Azi.

Te Tirana po punohet edhe për rinovimet. Aleksi, Behiratçe dhe Hila janë tre prej tyre që mund të qëndrojnë. Të tre lojtarëve u është bërë një ofertë rinovimi, por askush nga ata zyrtarisht nuk ka firmosur. Ndërsa Toshevski ka bërë me dije se e ka mbyllur me bardheblutë. E paqartë situata për Hasanin dhe Bekajn, me sulmuesin dhe portierin që janë në pritje të ofertave nga klube të huaja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb