Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj inspektoi sot me së bashku me Ministrin e Jashtëm të Zvicrës Ignazio Cassis, ndërtimin e banesave të reja në Shijak e Kurbin, të rikonstruktuara me mbështetjen e grantit zvicerian.

“228 familje në Shijak e mbi 300 të tjera në Kurbin, kanë përfituar drejpërsëdrejti nga fondi 1.3 milion euro i qeverisë zviceriane për rikonstruksionin e banesave me dëme të lehta e mesatare.

Në 50 vjetorin e marrëdhënie e dypalëshe mes dy vendeve tona, Zvicra konfirmon edhe njëherë mbështetjen e pakursyer ndaj Shqipërisë, si një vend mik e partner, jo vetëm në sfidën e rindërtimit nga rrënojat e tërmetit, por edhe në konsolidimin e themeleve të Shqipërisë europiane!” u shpreh Ahmetaj.

Në fjalën e tij ministri Cassis tha se Zvicra kontribuoi 10 milion franga zvicerane në konferencën e donatorëve në Bruksel në shkurt të këtij viti.

“Ky fond do të ndihmojë në riparimin e shtëpive dhe banesave të dëmtuara nga tërmeti. Ne mund ta shohim me sytë tanë: rindërtimi nga qeveria shqiptare po ben progres dhe ndihma e Zvicrës po arrin tek njerëzit në nevojë.

Zvicra vazhdon ta shohë Shqipërinë si një vend prioritar në programin e saj te bashkëpunimit e zhvillimit në Ballkanin Perëndimor. Për më tepër, si një partner i vjetër i Shqipërisë, Zvicra është e vetëdijshme për rolin e rëndësishëm që Shqipëria luan në stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit” u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb