Duke folur për procesin e rindërtimit, kryeministrit Edi Rama paralajmëroi të gjithë ata zyrtarë, që do të abuzojnë me këtë proces, duke iu dhënë shtëpi qytetarëve që nuk janë prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.

Gjatë fjalës së tij në aktivitetin e prezantimit të platformës online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit, kreu i qeverisë tha se do të ndëshkohen të gjithë ata kryebashkiakë e zyrtarë, që do të fusin në listën e përfituesve edhe njerëz që nuk janë prekur vërtet nga tërmeti.

Ai deklaroi se i gjithë procesi do të monitorohet nga një grup i panjohur.

“Mos hyni në gjynah, bëjeni këtë punë njësoj sikur do të ishit ju që do të mbeteshit pa shtëpi. Mos merrni iniciativa individuale për të regjistruar si të prekur nga tërmeti njerëz që nuk janë prekur, se do të ndëshkoheni, pasi do monitoroheni nga një grup që s’e njihni. Kryebashkiakëve ju them faleminderit, sepse iu ka rënë mbi kokë një hall i madh, që e kanë përballuar me dinjitet, por që duhet t’i qëndrojnë në kokë, që regjistri elektronik i familjeve të jetë shembullor dhe aty të jenë të gjithë ata që kanë nevojë. Të gjitha do të monitorohen dhe kush do të kapet duke abuzuar, do të ndëshkohet”, tha Rama.

Pjesë nga fjala e Ramës
Ka shembuj se si proceset e rindërtimit janë kthyer në historira të turpshme. Për të evituar këtë dhe për të garantuar që asnjë qytetar të mos mbetet vetëm ne kemi ndërtuar këtë platformë transparente, ku bashkitë do të kenë regjistrin e tyre elektronik të të gjithë familjeve në nevojë për programin e rindërtimit dhe ku çdo familje do të ketë akses individual për të ndjekur gjithë procesin. Pra, mjafton që familja e dëmtuar të bëjë aplikimin dhe të marrë kodin e vet në telefon dhe nga aty mund të ndjekë çdo ditë ku është procedura e vet.

Në programin që do të plotësojë platformën do mund të ndiqet i gjithë procesi i rindërtimit vizualisht. Kështu garantohet që zyrat e bashkive nuk mund t’i ikin më përgjegjësisë, ashtu si dhe zyrat e shtetit, pasi është shteti i tëri që të shikon. Do të ndëshkohen të gjitha rastet, nëse do identifikohen se në procesin e rindërtimit janë futur familje që nuk e meritojnë. Ky nuk është proces për të bërë qoka, apo për të strehuar njerëz që nuk janë strehuar nga tërmeti, ky është proces për të prekurit nga tërmeti.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb