Kryeministri Edi Rama tha në emisionin “Real Story”, në News24, se brenda pak ditësh do të hapet gara ndërkombëtare për banesat individuale, që pritet të ndërtohen për banorët e prekur rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntori 2019.

“Brenda pak ditësh hapet gara ndërkombëtare për banesat individuale. Objektivi është që të gjithë banorët, që u janë shkatërruar banesat, vitin e ri 2021 ta bëjnë në shtëpitë e reja. Pjesa më komplekse është pjesa e blloqeve të banimit, që nuk mund të them që do të bëhet shpejt. Ajo do të fillojë këtë vit, gjithçka do të nisë këtë vit”, tha Rama.

Ndërsa, duke folur për procesin e integrimit, kryeministri tha se çelja e negociatave nuk është si tryezat e tij me kryedemokratin Lulzim Basha, por është një proces i gjatë.

“Çelja e negociatave nuk është si tryezat e mia me Lulin, unë ulem me të dhe më duhen pak orë për ta bindur. Negociatat janë një proces i stërmundimshëm, me kushte pa fund. Nuk janë një proces që nis sot e mbaron, por janë me pjesë. Edhe pas hapjes së negociatave, fillon një proces i gjatë, me një konferencë. Shikoni Serbinë. Edhe pas konferencës, prapë ka kushte. Unë për këtë i dua negociatat, që nga kushtëzimet të ndërtojmë shtetin modern funksional”, theksoi kryeministri.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb