I ftuar përmes një lidhje direkte në rubrikën “Opinion”“News 24”, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka treguar ecurinë e deritanishme në procesin e rindërtimit, por edhe rehabilitimin e rrjeteve të ujësjellësve në kryeqytet.

Veliaj tha se bashkia do të vijojë punën edhe gjatë gushtit, në mënyrë që të përfundojnë shkollat dhe çerdhet e reja si dhe personat që mbetën pa strehë si pasojë e tërmeteve të 2019-ës të vendosen në shtëpitë e sapondërtuara.

Ai tha se aktualisht rreth 30 % e Tiranës vuan nga mungesa e ujit të pijshëm. Sipas Veliajt bëhet fjalë për zona të thella e periferike, ndërsa shtoi se po punohet edhe në këtë drejtim.

Si po shkojnë punët për rindërtimin e shtëpive, janë 62 pa u përfunduar?

Erion Veliaj: Stina e verës, teksa për të gjithë është koha për pushime, Bashkia e Tiranës ka më shumë fluks pune në verë, sepse hapen shkollat dhe çerdhet. Do të jetë një muaj sulmi, sepse duhet të jenë gati 13 shkolla të reja në shtator. Disa shkolla janë qytetëse, ndërsa disa të tjera janë rurale, që i kemi bërë më të madhe. Rehabilitimi i tyre ul pak fluksin në Tiranë. Stabilizohet pak edhe trafiku. Sa i përket rindërtimit janë disa ndërhyrje pikësore. Janë shtëpitë individuale dhe në fund të gushtit do i mbyllim. Ka dhe ndërtime masive, siç është zona e re urbane në Vaqarr. Është lagja e re në Ndroq. Arsyeja pse themi lagje të reja, është sepse i dedikohet personave që nuk kanë jetuar më parë aty. Bëhet fjalë për të transferuar familje. Zonat rurale kanë qenë pjesë e strategjisë sonë për t’u integruar me Tiranën. Ndaj themi që kjo kohë është fluksi për bashkinë.

Ju i kërkuat personit përgjegjës që një ujësjellës të jetë i gatshëm brenda vitit. Tirana kur do të ketë ujë 24 orë?

Erion Veliaj: Janë rrjete ujësjellës së ndryshme. Kasalla ka një depo të vetën. Këshilla jonë për banorët është që të vazhdojnë të mbajnë puset. Duhet të largohemi nga kultura që uji i pijshëm të përdoret pa karar. Aty do të ketë furnizim të kombinuar. Këto janë zona që kanë qenë ish-zona bujqësore, ka pasur proces legalizim e më pas urbanizim. Për pjesën më të madhe ka përfunduar ky proces. Sa i përket Tiranës, i dëgjoj ato që japin mend dhe për politikë thonë gjithçka. Ata e kishin Tiranën, bashkinë, e pamë çfarë bëmë. Sot vetëm 30% e Tiranës s’ka ujë të pijshëm. Për të mbuluar dhe këtë pjesë jemi duke bërë unazën e presionit. Nëse nuk krijojmë këtë, ata që janë afër tubacionit kryesor, përfitojnë më shumë ujë, ato që janë larg burimit kanë më pak. Ndërsa kjo unazë ofron ujë në mënyrë të njëllojtë për të gjithë qytetarët. Uji i Tiranës shkon 20 min në laboratorë, uji i Tiranës është një nga ujërat më cilësorë. Në fakt problemi është i administratorëve, që marrin nga banorët lekët për pastrimin e depozitave dhe nuk i pastrojnë. Këshilla është që ta shfrytëzojmë këtë verë edhe për minikantieret e komunitetit të bëhet i njëjti sens dhe të pastrohen depozitat.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb