I ftuar përmes një lidhjeje “Skype” me rubrikën “Opinion”“News 24”, analisti Genci Burimi analizoi një sërë çështjesh, ku përket Shqipëria dhe Evropa. Ai tha se pret me kureshtje nisjen e nimeve të kuvendit të ri, por sipas tij, nuk do të ketë një opozitë të fortë. Kjo sipas analistit bëhet për faktin që të mos pengohet hapja e negociatave të Shqipërisë për në BE. Megjithatë, ai shtoi se nevojë imediate, është diskutimi për çështjet ekonomike, ku Shqipëria sipas tij ndodhet përballë borxheve të shumta.

“Në këtë parlament të ri, opozita vjen e minuar nga brenda për shkak të temës të ish-kryetarit të saj dhe themeluesit shpirtëror të PD Sali Berisha. Kjo bën pikëpyetje. Zoti Berisha konfirmoi që do të jetë në Parlament dhe a do të ketë kjo PD një hov opozitar të fortë në lartësinë e zhgënjimit që pati në zgjedhje, apo ky hov opozitar do të jetë më i beftë, për të krijuar një lloj mirëkuptimi me mazhorancën. Për këto gjëra Kuvendi i ri do të na bëj kureshtar. Unë pres nga Kuvendi të flitet për çështjet ekonomike. Sipas normave të FMN borxhi publik nuk duhet të takojë masën e 40% dhe mënyra që po gjen qeveria për të ezauruar këtë borxh është duke hyrë në borxhe të reja. Janë shuma marramendëse dhe për mua opozita duhet të vendosë theksin në çështjen ekonomike. E para është ekonomia sepse përndryshe vendi do të vijojë të emigrojë.

Ne jemi ende afganë sepse ende largohemi nga vendi ynë. Nëse ka një pakt të heshtur mes opozitës PD-LSI dhe PS nga ana tjetër dhe SHBA-së. Ata do të thonë që bëni opozitë në kushte normale, e të mos cënohen hapja e negociatave. Ishte pikërisht kjo që detyroi SHBA-në të shpallte Berishën ‘non grata’. Ata kishin frikë se mos opozita nuk njihte zgjedhjet, ndaj dhe dhanë vendimin ndaj Berishës. Ndaj them do të ketë pakt të heshtur, që do të ketë opozitë, por jo deri në atë pikë që të cënohen hapja e negociatave. Në muajin prill kur mbaruan zgjedhjet në Shqipëri, Basha mblodhi para PD militantët dhe thanë që nuk i njohim zgjedhjeve. Në atë moment nuk kishte dalë ende bllokimi maqedonas nga Bullgaria. Prandaj amerikanët, për t’i mbyllur gojën opozitës u kapën me Sali Berishën dhe kërcënuan Metën. Ky rrezik ra, sepse doli Bullgaria. Besoj se do të ketë një opozitë normale. Çështjet ekonomike janë normale. Sot për sot këto negociata nuk bllokohen nga PD, por nga Bullgaria”, tha Burimi.

Më tej analisti u ndal dhe te Mali i Zi dhe krizës politko-fetare që ka shpërthyer atje. Sipas analistit, Kisha Ortodoksë Serbe me seli në Mal të Zi është në shërbim të pushtetit serb, e sulmimi i saj, është në dëm të politikës malazeze.

“Në të dyja rastet, si në Mal të Zi dhe në Shqipëri, kemi një president me ngjyrë politike ndryshe nga mazhoranca. Në Mal të Zi presidenti i ka shpallur luftë kryeministrit, ashtu si në Shqipëri. Kjo luftë politike plasi në mënyrë të fortë në Mal të Zi. Gjukanoviçi e di që kisha ortodokse serbe është pjesë e Serbisë. Gjukanoviçi disa vite më parë vendosi të godiste kishën ortodokse, por në fakt, më shumë në Mal të Zi janë serbë dhe kjo solli humbjen e tij në zgjedhje. Kisha ortodokse serbe ka një rol politik. Kështu është dhe në Greqi. Mali i Zi do pavarësi ata janë të varur nga Kisha Ortodokse Serbe, ky është një fakt”, theksoi analisti.

Burimi po ashtu foli dhe për zgjedhjet në Gjermani. Ai theksoi se Merkel po largohet nga politika aktive, duke lënë pas një Evropë të dobësuar në akseptin e mbrojtjes. Për të rikthyer një Evropë të fortë, sipas Burimit, duhet të vendoset sërish në lëvizje ‘motori’ franko-gjerman. Sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me Gjermaninë, analisti shprehet i bindur se nuk do të këtë ndryshime, pasi gjermanët sipas tij, janë pro zgjerimit dhe integrimit të Shqipërisë në BE.

“Janë tre kandidatë për kancelarë, qoftë e majta, e gjelbërta dhe pasuesi i Merkelit. Nuk ka asgjë të sigurt. Sot, Merkel e lë Evropën në një situatë të keqe dhe Merkel mban një përgjegjësi të madhe. Sot Evropa po jeton një periudhë e vështirë. Sepse sot duhet një Evropë e sigurisë, e mbrojtjes. Të krijohej një treshe mbrojtëse, Gjermani, Francë, Britani. Këtë gabim do e paguajmë gjatë. Merkel po e le Evropën në periudhë shumë të vështirë. Ka një presion nga Evropa prej vendeve Lindore. Ndaj dhe Macroni është shumë skeptik për zgjerimin e Evropës. Merkel po largohet në këtë pikë, pa ia lënë stafetën pasardhësit të një Evrope të fortë. Sot Gjermania është një vend që ndot shumë. Domethënë jemi në një pozitë të turbullt. Duhet se s’bën që motori franko-gjerman të rindizet përsëri. Sa i përket Gjermanisë dhe Shqipërisë për sa i përket Evropës asgjë nuk ndryshon, gjermanët janë pro zgjerimit”, përfundoi Burimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb