Kryeministri finlandez, Antti Rinne deklaroi dje në Parlamentin Europian se presidenca finlandeze e radhës e Bashkimit Europian shpresonte që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të hapnin në tetor negociatat e anëtarësimit, sipas euractiv.com.

”Për sa i përket Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut shpresojmë të hapim negociatat e anëtarësimit në muajin tetor”, deklaroi Rinne.

Kryeministri finlandez, Antti Rinne i tha gjithashtu Parlamentit Europian se vendi i tij do të vazhdonte negociatat edhe për një sërë çështjesh të tjera të unionit.

Rinne paraqiti katër prioritetet e presidencës finlandeze që janë forcimi i BE-së si lider global në çështjen e klimës, forcimin e vlerave të përbashkëta dhe sundimin e ligjit, forcimin e konkurrueshmërisë së unionit dhe mbrojtjen e sigurisë së qytetarëve.

”Duke u mbështetur në faktet më të rëndësishme, është e nevojshme që Bashkimi Europian t’u përgjigjet pyetjeve të qytetarëve të tij. Këto përgjigje duhet të jepen njëzëri nga unioni dhe jo nga shtete të veçanta”, theksoi Rinne.

“Kjo është arsyeja që ne i morën në konsideratë këto çështje në programin tonë”, shtoi ai.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb