Nga: KIÇO BLUSHI*
Meqë PD-ja sot për sot është partia kryesore në opozitë, interesi mbarëshoqëror e lyp të analizohen objektivisht e imtësisht ngjarjet e fundit në këtë parti, konkretisht zgjedhjet e këtyre ditëve, pas Kongresit për lidershipin e ri. Përveç faktit që pas zgjedhjeve mbetën jashtë kryesisë “veteranët”, “kockat e forta”, si Topalli dhe Patozi etj., si dhe pas ngritjes në detyrë të jo pak emrave të rinj e të panjohur (më së shumti nga Bashkia e Tiranës), apo faktit se kush u zgjodh sekretar i përgjithshëm, kush e si u votuan nënkryetarët, pa dyshim që në këtë hulli hamendësimesh, më e rëndësishme e më parësore hë për hë mbetet përgjigjja e pyetjeve: A u tjetërsua apo u ripërtëri kjo parti? Ku dhe si?
Përveç rekrutimit të ca rishtarëve neokopistë dhe largimit të veteranëve që mbetën me gisht në gojë, edhe pse u cilësuan si “fajtorë pa faj”, çfarë ka ndryshuar në thelb politikëbërja e PD-së pas analizës së humbjes, pas zgjedhjeve të forumeve, pas dorëheqjes së Berishës dhe sidomos pas kërkesës për falje që pati bërë kryetari Basha kohë më parë?
Deri më sot nuk janë dhënë përgjigje të qarta për publikun. Por meqë fati i mëtutejmë varet edhe nga qëndrimet e veprimet e kësaj partie, si dhe, meqë neve vazhdon të na tërheqë për hunde militantizmi dhe indoktrinimi mediatik e partiak dhe jo interesi kombëtar, besoj se ia vlen të përqendrohemi te kjo dilemë: PD nuk qenka tjetërsuar, por a është ripërtërirë? Dhe: a mjafton ndërrimi i kuajve të karrocës, teksa karroca, karrocieri, kamxhiku, rruga dhe ngarkesa kanë mbetur të njëjtë?
***
Përgjigjja e ngutshme e kryetarit Basha se partia “nuk u tjetërsua, po u ripërtëri”, më shumë anonte nga ideja e nga meraku që partia të mos tjetërsohej, pra nuk ka për të ndryshuar në thelb, në qëndrim e në strukturën e vet të trashëguar politike, gjë që tekefundit do të thotë se ka mbetur “ajo që ka pas qenë”… A mund të ketë ripërtëritje të njëmendtë në fizikë, në lëndët e ngurta, le më te gjallesat, qofshin ato shoqata e parti, pa tjetërsim?
Në një gjuhë më të thjeshtësuar, ky “objektiv” nënkupton që Kongresi dhe zgjedhjet e forumeve të PD-së ishin, tekefundit, një tjetër fillim-mbarim i kongreseve të suksesshme (sigurisht edhe të qëllimshme!) të filozofisë së vjetër të “Kongreseve të vazhdimësisë”, pas vdekjes së Hoxhës. Në rastin në fjalë, ish-kryetari nuk ka ndërruar jetë, por, si ka pas deklaruar vetë personi, ka dhënë “dorëheqje të parevokueshme”, me vullnet të lirë. Berisha nuk është “zgjedhur” madje as në forumet e larta të partisë, në kryesi.
E megjithatë partia nuk qenkësh tjetërsuar pas “operacionit”, po ripërtërirë me “gjak të ri”. D.m.th. ka për të vazhduar edhe më tej “vazhdimësia”, si logjikë orientuese e përcaktuese, është apo nuk është Berisha në krye të partisë. Këtë dukuri e ka vërtetuar edhe gjuha e deritashme politike e PD-së, sjellja e saj e njëjtësuar, si me Berishën, ashtu edhe me Bashën në krye, përherë agresive (me bojkot, me konfliktualitet dhe mosmarrëveshje të pandërprera), si një mendësi e detyrueshme e berishizmës, si një vijë e pandryshuar, për shkak të autoritetit dhe sundimit të pakonkurrueshëm e të padiskutueshëm të ish-kryetarit të saj “historik”, formalisht të dorëhequr. Duhet të jetë një rast unikal në botën politike e demokratike kur dorëheqja e bën të dorëhequrin më të fuqishëm e më vendimmarrës nga ç’pat qenë!
Kuptohet besoj, që kjo “vazhdimësi” politike nuk synon të jetë më si një ish, si një gozhdë në derën e partisë, për hir të nderimit ndaj udhëheqësit historik, pasi tanimë besohet se kësisoj vazhdimësia e berishizmës është çimentuar dhe garantuar për një kohë më të gjatë, jo vetëm me platformë, direktiva, udhëzime si dhe me hijen e ish-kryetarit legjendar, por edhe “me struktura të zgjedhura”, me emra të rinj, anonimë, besnikë, pas zgjedhjeve e përzgjedhjeve “demokratike” në parti.
Nuk ka dyshim që, mbas sodit, Berisha do të ndihet më i qetë e nuk do ta ketë të nevojshme të shkojë përditë në parti, të japë konferenca për shtyp, ta kontrollojë e të diktojë personalisht partinë nga brenda, prej frikës së ndonjë rrëshqitjeje apo, ca më keq, “tradhtie”, pasi tanimë nuk do të jetë e nevojshme as “xhaketa” e tij e varur në mur që të diktojë dhe imponojë vazhdimësinë e autoritetit absolut bashkë me imunitetin (paprekshmërinë) e tij.
Sigurisht që, “vazhdimësia” në një parti normale e të vetëquajtur demokratike nuk mund të quhet një strehë e sigurt dhe e qetë për një kohë të gjatë edhe po të futësh në strukturat e saj njerëz të familjes, po qe se atë nuk e sundon totalisht me autoritetin e vet. Zhvillimet e fundit, zgjedhjet dhe përzgjedhjet janë bërë me aq kujdes, sa mund të thuhet se tanimë ia kanë siguruar këtë “qetësi” të lakmuar e jetike ish-kryetarit, Sali Berisha. Është më se e sigurt që partia, si një trup i vetëm, edhe sikur t’i hyjë një gjemb në këmbë Berishës, ka për të qenë e gatshme (dhe e detyruar) të hidhet e tëra në zjarr. Kjo është “arritja” e vetme dhe më kryesore.
Berisha ka nxjerrë përfundime nga ikja përfundimtare prej partisë e Alisë dhe më pas edhe e Nanos. Të dy e pësuan më shumë e më rëndë nga të vetët, nga “bijtë”, nga puthadorët e servilët e partisë sesa nga kundërshtarët. Ish-komunistët fanatikë u tjetërsuan në antikomunistë fanatikë dhe për këtë do të duhej të jepnin “prova” të tjetërsimit që të bëheshin sa më të besueshëm. Kjo vlen për mercenarët, por jo për kryetarët e partive. Si i tillë, për mbi një çerek shekulli Berisha e ka mësuar se, kush ikën nga shtëpia, kush braktis “familjen” për një kohë të gjatë, edhe po qe baba biologjik, jo më kryetar partie, do ta gjejë derën të mbyllur. Një ish-kryetar partie i dorëhequr përfundimisht nuk do të përfitojë më as mirënjohje, as mbështetje, as respekt, madje as mëshirë nga të vetët.
Kështu, sa për të dhënë një shembull të freskët, jo dhe aq të largët, Nano, për t’u bërë president, arriti të pajtohej edhe me Berishën që e pat rrasur në burg, por nuk u pajtua dot me mëkëmbësin e vet, Ramën. Para tij Alia u fut në burg, por as partia, as ndjekësit e tij, as vullnetarët e Enverit nuk e mbrojtën dot… Sepse Alia mbeti fillikat, një qytetar i zakontë, pa një parti pas vetes. Ndërsa Nano nuk do të kishte dalë nga burgu, si doli, po qe se nuk do t’i ishte hedhur në mbrojtje partia e tij.
Kuptohet që arrestimet e disa ish-kryeministrave në Evropë e në Ballkan, si në Rumani, Maqedoni, Kroaci dhe së fundi edhe në Portugali, e bëjnë urgjente dhe të panegociueshme nevojën e domosdonë e instalimit të “vazhdimësisë”. Berluskonin, për ta poshtëruar, e dënuan dhe e çuan të shërbente në një azil të moshuarish… Shqipëria nuk është më në vitet ‘97-‘98, kur për të mbrojtur një ish-president që e çoi popullin në prag të luftës civile, mjaftonin edhe “200 mamurrsa” militantë, ndërsa sot ka një Shqipëri tjetër, një popull më të demokratizuar, ndaj, mëkatarëve të sotëm partiakë, më shumë se kurrë u duhen licenca dhe “siguracioni” i një partie.
Ndaj besoj se nuk është e vështirë të kuptohet, se pas këtyre zhvillimeve në partinë e tij, Berisha ka shmangur dhe e ka shtyrë ca më larg mundësinë e gjykimit nga Drejtësia të gabimeve, krimeve dhe të dështimeve të tij. Më mirë se kushdo tjetër ai e kupton dhe e di se sa vlerë ka një parti-bunker, e indoktrinuar, e mëkuar me idhujtari, e gatshme të shkojë deri në vetasgjësim për të mbrojtur qoftë edhe lapidarin e “komandantit legjendar”. Se, edhe Mziun e Kamzës, në fund të fundit kush e mbrojti?
Është provuar edhe tek ne se rreziku i vërtetë, i pakthyeshëm i çdo “lideri historik” vjen jo dhe aq nga sulmet së jashtmi, qoftë edhe nga vota kundër mbarëpopullore, madje as nga trysnia e ndërkombëtarëve, por së brendshmi, nga partia e vet, nga familja e vet. Enverin nuk e shembën ata që kishte burgosur e internuar, po nga brenda, të vetët, ashtu si Nolin dhe Zogun, kur këtyre po u binin patkonjtë. Lufta brenda llojit është më kobsjellëse për krerët autokratë e diktatorë. Këtë e ka kuptuar edhe Basha, si një riosh në politikë. Edhe atij, për arsye të ngjashme i leverdis “politika e vazhdimësisë”, si një siguresë me funksion të dyfishtë.
Sepse Basha jo vetëm që nuk ka këllqe të përballet me ish-in e tij, për të krijuar “identitetin” e vet, por edhe se atij i duhet një vetëmbrojtje, një mburojë politike, një parti-bunker, më shumë se një gjurmë dinjitoze në histori. Ai e di që, po ra kulti i Berishës, ka për të rënë edhe ai, ndoshta më keq se mentori i tij. Ky “objektiv” i padeklaruar me sa duket është realizuar plotësisht e me sukses.
Besoj se nuk dyshon kush që edhe Bashës i duhet një parti ku të mos ketë kundërshtarë e rivalë, po rishtarë-ushtarë të bindur nga nëpunësit e Bashkisë e periferisë, të cilët, në rrugë “institucionale”, nesër, po qe se PD-ja do të humbasë zgjedhjet lokale ose ato politike, të kërkojnë me zë, me figurë e me votim në Këshillin Kombëtar që kryetari kurrsesi të mos dorëhiqet, “për të mirën e unitetit të partisë”. Kjo po që është një ripërtëritje tejet serioze dhe rëndësore e vazhdimësisë!
Paçka se, si është provuar jo shumë kohë larg, madje jo vetëm një herë në historinë tonë moderne, “filozofia e vazhdimësisë”, herët a vonë, do të jetë e destinuar të kthehet në bumerang!

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: