Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj ka thënë se pas rishikimit të buxhetit aktual, shumën 5.2 milionë euro do ta shfrytëzojnë për blerje ushtarake, pasi sipas ministrit, kjo shumë e parash ishte planifikuar për shpenzime të panevojshme.

Mehaj thotë se kjo është bërë pas analizës dhe vlerësimit të detajuar të planit të prokurorimit për vitin 2021.
“Të dashur qytetarë, pas analizës dhe vlerësimit të detajuar të planit të prokurimit për vitin 2021, në proces të rishikimit të buxhetit aktual, kemi arritur që shumën prej 5.2 milion euro nga planifikimet e mëhershme të shpenzimeve të panevojshme, ta ri-destinojmë në projektet e Programit Amerikan të Shitjeve të Jashtme Ushtarake (The Foreign Military Sales- FMS) me qëllim të rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të FSK-së”, ka thënë ministri Mehaj.

Më tej, ministri ka shtuar se “blerjet ushtarake do të realizohen në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me partnerët tanë amerikan dhe aleatët tjerë”.

“Si Ministër i Mbrojtjes, jam i vendosur që prioritetet e Qeverisë, qëllimet strategjike dhe objektivat e mi operacional t’i realizoj deri në fund, mbi parimin e ndalimit të shpenzimeve të panevojshme, transparencës, llogaridhënies dhe përkushtimit maksimal për forcimin e Ushtrisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të misionit të saj kryesor – mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare përkrahë forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si rrugë drejtë anëtarësimit të vendit në NATO”, tha mes tjerash ministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb