Panorama Televizion, media më e re televizive, por me një provojë 20-vjeçare në tregun mediatik do të startojë ditën e hënë emisionin e ri dedikuar tifozëve të sportit, me emrin “Panorama Sport”.

Gazeta Panorama Sport, lider në tregun e medias së shkruar dhe e vetmja gazetë e cila prodhon lajme rreth futbollit shqiptar dhe eventeve me të rëndësishme ndërkombëtare, tashmë do të ketë një dritare të re, një dimension të veçantë në Panorama TV.

Emisioni “Panorama Sport” do të moderohet nga gazetarja dhe ish-futbollistja, Vjosana Nozllaku, e cila do të jetë prezente në ekranin e Panorama TV nga e hënë në të premte.

Vjosana Nozllaku është ‘blerja’ më e fundit nga Panorama TV dhe me emisionin sportiv do të jetë pranë tifozëve edhe të dielën me një edicion të zgjeruar, ku do të jenë të ndërthurura, intervistat në studio, të ftuarit special, ekspertët dhe profesionistët e sporteve të ndryshe.

Emisioni i fundjavës do të jetë një arenë e futbollit, basketbollit, dhe sporteve të ndryshme vendase.

Panorama Sport do të ketë në fokus, zërin e sportistëve shqiptarë dhe promovimin e talenteve të cilët për shkak të mungesës së vëmendjes janë detyruar të largohen jashtë Shqipërisë, duke çarë falë forcave të tyre.

Vjosana Nozllaku thekson se “Panorama Sport” do të synojë të jetë zëri dhe figura e të gjithë talenteve në të gjitha zhanret e sportit. Skaneri i të gjitha problematikave dhe neglizhencave të Federatave Shqiptare, po ashtu dhe e Qeverisë që kujtohet për sportistët elitar vetëm kur këta të fundit falë investimeve të tyre personale arrijnë të nderojnë flamurin shqiptar në mbarë botën! Për detajet dhe surprizat e veçanta, ju ftoj të ndiqni emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: