Partia Demokratike dorëzoi në KQZ, listën e kandidatëve për deputetë, me të cilën Kryetari i PD, Lulzim Basha kërkon të sjellë rotacion të pushtetit në 25 prill. Por cilat janë risitë e listës Basha në këto zgjedhje? Në listën e dorëzuar ka pak prurje të reja, ashtu siç ka edhe të larguar. Bëhet fjalë për 14 ish-deputetë të PD, të listës së vitit 2017 që mungojnë. Emra si Romeo Gurakuqi- Shkodër, Lorenc Luka- Shkodër, Halim Kosova- Tiranë, Xhemal Gjunkshi – Dibër, Florion Mima- Durrës, Fatbardha Kadiu- Durrës, Endri Hasa-Elbasan, Taulant Zeneli- Elbasan, Astrit Veliaj- Berat, Genc Pollo – Fier, Hekuran Hoxhalli – Korçë, Klevis Balliu – Korçë, Andon Frrokaj – Lezhë, Arben Ristani – Vlorë, nuk do të jenë më kandidatë për deputet.

Burimet për News24, thanë se kryetari i PD, ka komunikuar personalisht me ish-deputetët, për të mos ua lënë surprizë moskandidimin e tyre. Genc Pollo është njëri prej ish-deputetëve që nuk është në listën për deputet. Në “Facebook”, ai shkroi se, ka vendosur vetë të mos jetë kandidat për deputet, me arsyetimin se mundësitë dhe rrethanat e ofruara nuk i ka gjykuar të përshtatshme. Pollo shprehet se uroj që PD dhe aleatët të realizojnë më 25 prill rotacionin politik.

Sa i përket risive dhe prurjeve të reja, lideri i opozitës shqiptare ka arritur të bindë shkrimtaren e njohur Flutura Açka që të jetë kandidate në qarkun e Elbasanit, e po ashtu një tjetër surprizë ishte edhe kandidimi i publicistit të njohur dhe pedagogut Agron Gjerkmarkaj në qarkun e Lezhës. Për herë të parë kandidon në listë të sigurt edhe zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, e cila renditet e dyta në qarkun e Vlorës.

Vetë kreu i PD, Basha ka zgjedhur të mos kandidojë në më shumë se në një qark, ndryshe nga çka bërë kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila do të kandidojë në tre qarqe, apo si Kryeministri Rama, i cili do të jetë në listë në 2 qarqe. Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha, do të marrë pjesë në këto zgjedhje, për të 8-ën herë në këto 30 vite. Ai është listuar i pesti në listën e qarkut Tiranë.

Sa i përket aleatëve të PD, bie në sy fakti se shumica e tyre do të jenë në Tiranë. Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu, Dashamir Shehi ishin kandidatë që priteshin të ishin në listën e këtij qarku. Surpriza ishte kandidimi në Tiranë edhe i kryetarit të PBDNJ, Vangjel Dule. Sa i përket aleateve të tjera, Agron Duka, do të jetë i 2-ti në listën e Durrësit, dhe Nard Ndoka i 8-ti në atë të Shkodrës.

Një lëvizje e minutës së fundit, e Lulzim Bashës ishte edhe vendosja në listë në qarkun e Elbasanit të ish-deputetit Luçiano Boçi, i cili nuk ishte në listën fillestare të kandidatëve. Emri i tij u rendit i 7-ti në Elbasan.

Në një udhëkryq përpara këtyre zgjedhjeve ishin edhe deputetët e opozitës parlamentare, të cilët nuk pranuan të digjnin mandatet. Disa prej këtyre deputetëve, janë kandidatë me parti të krijuara rishtazi, ndërsa të tjerë i janë bashkangjitur listës së Partisë Socialiste apo asaj të Partisë Demokratike. Në listën Basha, asnjë prej tyre nuk është i renditur në listën fituese.

Artur Roshi, kryetar i Ballit Kombëtar Demokrat, është renditur i 28-ti në listën e Tiranës, ndërsa Korab Lita i 34, Elda Hoti në Lezhë e 9-ta.

Sa i përket kandidatit të Frymës së Re Demokratike, kryetari i saj i zgjedhur, Sali Shehu do të jetë në listën e Tiranës dhe do të pozicionohet i 22-ti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb