TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka denoncuar sot dhunimin e zyrës së PD-së në Elbasan ndërsa ka akuzuar për këtë ngjarje kryeministrin Edi Rama dhe Kreun e Kuvendit Ilir Meta. Ristani tha se kjo klimë terrori e krijuar në vend është shenjë e dëshpërimit dhe humbjes së logjikës të dyshes Rama-Meta

“Godina e Partisë Demokratike në Elbasan është dhunuar mbrëmë, dyert e të gjithë ambienteve janë shqyer dhe zyrat janë bastisur. Ky është një rast i përsëritur i dhunimit të zyrave të Partisë Demokratike dhe është një sulm në prag të zgjedhjeve lokale.

Kjo goditje është qartazi e frymëzuar nga politika dhe retorika antiopozitë e dyshes Rama-Meta, të cilët e kanë nisur mandatin e tyre duke nxitur dhe porositur dhunë ndaj opozitës. Kjo klimë terrori e krijuar në gjithë jetën e vendit edhe ndaj opozitës, është shenjë e dëshpërimit dhe humbjes së llogjikës të dyshes Rama-Meta, për shkak të spirales kriminale ku janë zhytur, dhe për shkak se kanë dalë lakuriq, të dy, në sytë e popullit, me lidhjet e tyre me botën e mafies, të larjes së hesapeve dhe përplasjes mes bandave të tyre”, u shpreh Ristani.

Numri dy i PD-së, tha se këto ngjarje janë shenjat e agonisë së pushtetit të tyre. Ristani tha se pavarësisht kësaj, qytetarët nuk do ti pranojnë zullumet e dyshes Rama-Meta.

“Këto në fakt janë shenjat e agonisë së pushtetit të tyre. Kur sulmohet opozita, kur agresohen përfaqësuesit e saj, kur dhunohen mjediset e zyrat e saj, kemi të bëjmë me një pushtet në kaos, që kërkon të zgjasë ditët duke u bazuar te dhuna dhe duke goditur opozitën. Dhuna dhe metodat banditeske nuk kanë qenë, dhe kurrë nuk do të jenë zgjidhje. Ato kanë qenë dhe do të jenë gjithnjë, tregues të kaosit dhe dritshkurtësisë që shkakton frika e largimit nga pushteti. Demokratët e Elbasanit e të gjithë Shqipërisë janë më të bashkuar se kurrë. Qytetarët e vendit janë ngritur në këmbë, dhe ia kanë bërë të qartë dyshes Rama-Meta, se nuk i pranojnë më zullumet e tyre, se nuk pranojnë më të sundohen nga krimi dhe mafia në pushtet. Ora e drejtësisë dhe e ligjit po vjen”, deklaroi Ristani.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: