TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama dhe policinë për vendosjen e gjobave ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë marrë pjesë në protestën e ditës së hënë kundër çmimit të lartë të karburantit. Ka qenë vetë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili tha se “këto gjoba janë ndëshkim i hakmarrësit Rama, që refuzon të dëgjojë qytetarët e vendit” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të mos i paguajnë ato. Ndërkohë ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme, e cila i ka quajtur “shpifje të radhës”, akuzat e PD-së, ndërsa sqaron se Policia Rrugore ka marrë masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk ka vendosur asnjë gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje.

“Gjobat politike, të urdhëruara nga Edi Rama, ndaj protestuesve për çmimin e lartë të naftës, për shkak të taksave të qeverisë, janë të paligjshme. Drejtoritë e policisë së çdo qarku, janë njoftuar për protestën, sipas ligjit në fuqi. Këto gjoba janë thjesht ndëshkim i hakmarrësit Rama, që refuzon të dëgjojë qytetarët e vendit. Ne u bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të mos paguajnë gjobat politike të Edi Ramës dhe i kërkojmë Policisë së Shtetit të tërhiqet nga ky aksion partiak dhe i paligjshëm. Me dhunën e pushtetit vetëm do shkurtojnë ditët e tyre sepse revolta popullore është ortek që nuk mund të ndalet”, ka deklaruar Ristani.

Ndërkohë Ministria e Brendshme ka mohuar se ka vendosur gjoba ditën e protestës së opozitës. “Duke vlerësuar si shpifje të radhës, deklaratat e Partisë Demokratike, Ministria e Punëve të Brendshme sqaron se: Në të gjithë territorin e vendit në datë 26.01.2015, Shërbimet e Policisë Rrugore morën masa për të menaxhuar trafikun e rënduar dhe nuk kanë vendosur asnjë masë administrative me gjobë për mjetet, megjithëse ato ndaluan në kundravajtje duke bllokuar trafikun dhe sollën shqetësim dhe vonesë për përdoruesit e tjerë të rrugës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.

Sipas këtij institucioni, ditën e protestës janë evidentuar 330 mjete që bllokuan trafikun duke shkelur kodin rrugor, por ndaj asnjërit prej drejtuesve nuk është vendosur gjobë. Ndërkohë që 30% e këtyre mjeteve sipas Ministrisë së Brendshme kishin gjoba të papaguara ose pa siguracion.

“Shërbimet e Policisë Rrugore kanë identifikuar të paktën 330 automjete që ndaluan duke bllokuar trafikun, kryesisht autovetura, të cilat shkelën nenin 20 të Kodit Rrugor që parashikon: “Cilido që zë sipërfaqen rrugore pa lejen përkatëse, ose që, duke pasur leje, nuk zbaton kushtet e saj, i nënshtrohet masës administrative me gjobë nga njëzet e pesë mijë deri në njëqind mijë lekë”, por për asnjë prej tyre nuk është marrë masë.
Ndërkohë që sipas verifikimeve, rreth 30% e këtyre mjeteve janë konstatuar edhe si mjete debitore, duke pasur minimumi të paktën dy gjoba të papaguara dhe maksimumi 19 gjoba, ose ishin mjete pa kontratë sigurimi të detyrueshëm. Policia e Shtetit është e vendosur në çdo rast të godasë paligjshmërinë, e çdo forme qoftë, e për këtë arsye fton qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë në luftën e përbashkët kundër informalitetit, paligjshmërisë dhe kriminalitetit duke garantuar një Shqipëri më të sigurt, ku ligji është i barabartë për të gjithë pa dallim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb