Nga ENRIK MEHMETI* VLORË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Arben Ristani në një njëjtën kohë dhe deputet i qarkut të Vlorës, ka vizituar familjet që jetojnë në ish-kabinat e plazhit të vjetër, të cilat ditët e fundit përveç kushteve të mjerueshme janë përballur dhe me mungesën e energjisë elektrike.

Ristani e ka quajtur të papranueshme situatën ku jetojnë këta banorë dhe u premtoi se do ta çojë çështjen në parlament.

“Ndihem e shokuar nga gjendja në të cilën i gjeta këta banorë dhe kjo situatë është e papranueshme. Ne do luftojmë për çdo shqiptar në parlament por ai parlament ka nevojë më parë për parlamentarizëm sepse është plot me kriminel”, tha Ristani.

Ai është njohur nga afër me problematikën e banorëve të cilët janë shprehur se prerja e energjisë elektrike është një goditje tepër e madhe pasi të gjithë e kanë të pamundur për të paguar debinë.

Banorët u shprehën se ajo ndihmë ekonomike që marrin nuk mjafton as për ilaçe pasi shumica e familjeve kanë persona me probleme shëndetësore.

Ristani pasi ka dëgjuar shqetësimet e banorëve ka hedhur akuza në drejtim të qeverisë. “Siç e shikoni këta banorë po jetojnë jashtë çdo lloj kushti jetësor dhe ndërprerja e energjisë është një plagë më shumë për gjithsecilin prej tyre. Shteti shqiptar ka ligje, ku këto shtresa i rregullon dhe subvencionon por ky shtet nuk i zbaton”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Ristani tha se energjia elektrike në ish-kabinat është rikthyer pas dhjetë ditësh vetëm gjysmë ore përpara ardhjes së tij dhe se Partia Demokratike do rikthehet përsëri nëse energjia ndërpritet.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb