TIRANE – Partia Demokratike akuzon ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri për deklarata të rreme, gjatë një interviste televizive mbrëmjen e së enjtes. Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani renditi disa nga çështjet ku sipas tij, ministri Tahiri mashtroi publikisht.
Sipas Ristanit, “Tahiri gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët, dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet, po bëjnë kërdinë. Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin. Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së Kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë. Në progres raportin e Bashkimit Europian dhe atë të Departamentit të Shtetit, thuhet se këto aksione janë sot më të pakta se më parë. Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të PS që e drejtojnë sot Policinë. Gënjeu publikisht kur tha se; ai, paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol. Anëtarë me të drejta të plota në Europol janë vetëm vendet anëtare të Bashkimit Euriopian”.
Ristani tha se ministri duhet të mbajë përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit dhe të japë dorëheqjen.
“Nëse i ka mbetur pak dinjitet, le ta nisë, duke mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit. Të mbash përgjegjësi, do të thotë të japësh dorëheqjen. Partia Demokratike i kërkon ministrit ta mbajë dhe ta ushtrojë këtë përgjegjësi. Kjo është e mjaftueshme besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë Ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë.”- tha Ristani.
DEKLARATA E PLOTE E RISTANIT

Ministri i Brendshëm u shfaq mbrëmë para publikut, ndërkohë që, Shqipëria është sot, më e pasigurtë se asnjëherë më parë. Bilancit të rënduar të krimeve, grabitjeve e tritolit, Ministri i shtoi edhe një seri gënjeshtrash skandaloze. Gënjeu kur tha se Shqipëria është më e sigurtë, kur siguri kanë vetëm kriminelët, dhe kur grabitjet, vjedhjet, rrëmbimet, po bëjnë kërdinë. Gënjeu kur tha se nuk ka lidhje me Emiliano Shullazin. Fshehu të vërtetën për aksionin e fabrikës së Kokainës dhe lidhjet e tyre me qeveritarët, duke mashtruar për aksionet e përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë. Eshtë e qartë si drita e diellit, në progres raportin e Bashkimit Europian dhe atë të Departamentit të Shtetit, se këto aksione janë sot më të pakta se më parë. Nuk iu përgjigj pyetjes për të inkriminuarit që janë emëruar në Policinë e Shtetit dhe për numëruesit e votave të Partisë Socialiste që e drejtojnë sot Policinë. Gënjeu publikisht kur tha se; ai, paska anëtarësuar Shqipërinë me të drejta të plota në Europol. Gënjeshtër me bisht, thotë populli. Anëtarë me të drejta të plota në Europol janë vetëm vendet anëtare të Bashkimit Euriopian. Mes fantazisë e mashtrimit përgjatë 3 orëve intervistë, kjo ishte e pavërteta më lapidare e Tahirit, anëtarësimi i Shqipërisë në Europol, prej atij vetë. Tahiri përsëriti shpesh një shprehje; se ai mban përgjegjësi për atë që thotë, por mashtroi publikisht me deklarata të rreme.
Kjo shkallë mashtrimi tregon se për Tahirin dhe qeverinë kjo është kthyer në normë, dhe ata janë tashmë tërësisht të pabesueshëm. Nëse i ka mbetur pak dinjitet, le ta nisë, duke mbajtur përgjegjësi për gënjeshtrën e Europolit. Të mbash përgjegjësi, do të thotë të japësh dorëheqjen. Partia Demokratike i kërkon ministrit ta mbajë dhe ta ushtrojë këtë përgjegjësi. Kjo është e mjaftueshme besojmë, për Edi Ramën, që ta largojë Ministrin nga detyra, kur ai gënjen publikisht dhe nuk mban përgjegjësi për ato që thotë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: