TIRANË – Atentati i fundit me eksploziv ndaj Drejtorit të Burgut të Fushë Krujës dhe zbulimi një laboratori kokaine në Xibrakë kanë qënë dy çështjet më të bujshme të ditëve të fundit që në vëmendjen e Partisë Demokratike dëshmojnë qartë largimin e Policisë nga detyra e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, deklaroi sot para mediave se “rikthimi i atentateve me tritol, është një dëshmi tronditëse e faktit se Edi Rama dhe ministri i tij vazhdojnë të ndjekin kursin e mbajtjes së Policisë larg detyrës së saj themelore, që është rendi dhe siguria publike. Shpërthimet e njëpasnjëshme kanë krijuar panik tek qytetarët, ndërkohë që Policia vazhdon të mburret cdo ditë me arrestimet e fukarenjve që nuk kanë lekë të paguajnë energjinë.”

Sipas Ristanit, vetë fushata represive për energjinë, ndërkohë është selektive, debitorët e mëdhenj me 205 milionë janë në pushtet, ndërsa të pamundurit po mbushin qelitë. Largimi i policisë nga detyra e saj themelore, rendi dhe siguria, u pa qartë edhe në rastin e instalimit të fabrikës së Kokainës në zemër të Shqipërisë dhe ngritjes së atij rrjeti të rrezikshëm kriminal.

Për më keq, informacionet e reja në lidhje me kolumbinë e Xibrakës, dëshmojnë për depërtimin e lidhjeve të krimit si metastaza, deri në nivelet më të larta të Policisë dhe Politikës.
Duke u larguar nga fokusi i saj kryesor, duke u përdorur për porosi, prioritete politike dhe propagandë qeveritare, policia në fakt ka braktisur qytetarët në nevojën e tyre më të qënësishme, që është rendi dhe siguria.

Partia Demokratike ka theksuar e vazhdon të theksojë, që Policia e Shtetit duhet të kthehet në detyrën e saj në luftën ndaj krimit, për të garantuar rend e siguri. Të kthetet tek arsyeja kryesore e ekzistencës së saj.

Tregimi i forcës dhe i dhunës ndaj qytetarëve të zakonshëm, nga njëra anë, dhe flirtimi me bandat e trafikantët nga ana tjetër, është goditja më e madhe që mund ti bëhet rendit dhe sigurisë në vend.
Shqiptarët nuk mund të rrinë gjatë duke u lutur që tritoli, plumbat, kokaina, burgimi i padrejtë të mos i afrohet në derë të shtëpisë, – përfundoi deputeti demokrat. – Të jemi të sigurt që po nuk reaguam, me këto përmasa që ka marrë krimi nën udhëheqjen e rilindjes, cdo shqiptar është i pasigurt.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb