TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka hedhur akuza të ashpra në drejtim të Policisë së Shtetit, duke deklaruar se është e inkriminuar. Dy ditë para protestës së paralajmëruar, Ristani tha se Rama dhe Meta janë etërit e aleancës së krimit, por populli nuk do lejojë që vendi të shkojë drejt greminës. Ai ka denoncuar inkriminim e Policisë së Shtetit të disa drejtuesve kryesorë.

“Inkriminimi i administratës shtetërore është shtrirë kudo, masivisht, vertikalisht e horizontalisht. Por më i dhimbshmi, është sigurisht, inkriminimi  në radhët e policisë së shtetit. Drejtori i Forcave Operacionale, është kapur së fundmi i përfshirë në korrupsion dhe trafik droge. Pak javë më parë u ndalua një nga oficerët e kësaj strukture, Hamza Demushi. Pas hetimeve, rezultoi se Demushi ishte i dërguar, i mandatuar në këtë tregti droge, nga shefi i tij, pikërisht nga drejtori Alban Ahmetaj”, tha Ristani.

Ai u shpreh se nxit hetimin nga ana e Prokurorisë duke kërkuar që organi i akuzës të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit.

“Ne nxisim prokurorinë të hetojë e të mos ndikohet nga presionet e Tahirit dhe Didit, pasi ky person është i afërt me ta. Alban Ahmetaj, ka qenë i përjashtuar nga policia e shtetit, por u rikthye me rilindjen në krye të strukturës më delikate të policisë së shtetit. Forcat operacionale janë përgjegjëse për mbulimin, vëzhgimin, gjurmimin me metodat speciale të hetimit. Pra kjo strukturë kryen operacionet më të rëndësishme kundër krimit e trafikut, kundër bosëve të drogës. Merreni me mend, se çfarë ndodh me trafikun e drogës, kur shefi i kësaj strukture, përgjegjësja kryesore për ndalimin e narko-trafikut, është vetë pjesë e pazareve të pista e të jashtëligjshme. Kjo do të thotë se banda më e rrezikshme e drogës, është në radhët kryesore të Policisë së Shtetit”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Ristani tha se krerët e shtetit janë nën akuzë dhe të përfshirë në skenarin për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. “Këto fakte tronditëse janë dëshmi se sa thellë ka penetruar krimi në zyrat më të rëndësishme të shtetit. Nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur krerët e shtetit, Kryetari i Parlamentit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, dhe kur Kryeministri i vendit, rezulton pjesë e këtij skenari, si bashkëpunëtor, fshehës i ngjarjes dhe gjurmëve të krimit. Këta të dy janë etërit e aleancës me krimin dhe të ngjitjes së krimit në majë. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk e meritojnë këtë shkallë inkriminimi. Është kjo arsyeja që rendi dhe siguria publike janë sot në ditën më të keqe. Por populli nuk do të lejojë që Shqipëria të shkojë në greminë. Ne do ta ndalim të keqen. Duke nisur nga e 12 marsi, në orën 11 në Sheshin Skënderbej”, përfundoi Ristani.
REAGON MPB: MOS SULMONI POLICINË, RRESHTOHUNI NË KRAH TË ATYRE QË LUFTOJNË KRIMIN
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, Partia Demokratike vijon fushatën e sulmeve ndaj Policisë së Shtetit. Në një reagim, pas akuzave të PD-së, Ministria e Punëve të Brendshme i bën thirrje opozitës që të rreshtohet në krah me ata që luftojnë krimin.
“Partia Demokratike vijon fushatën e sulmeve ndaj Policisë së Shtetit. Është e vetmja Parti që sulmon Policinë dhe jo kriminelët. Sot doli një ish i dënuar për korrupsion dhe hodhi dozën ditore të shpifjeve absurde ndaj Policisë së Shtetit, nën moton e ditur tashmë, “na nxjerrin të shpifim në emër të Partisë e nuk mbajmë përgjegjësi për çfarë themi”.

Bëjmë me dije publikun, se hetimet të cilave iu referohet lexuesi i deklaratës së radhës, janë nisur dhe ende sot vazhdojnë nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme (ish-SHKB). Çështja është në hetim për një punonjës policie të arrestuar tashmë, por gjithashtu po hetohet edhe për përfshirjen e mundshme të çdo punonjësi tjetër të Policisë së Shtetit, pa asnjë dallim. I kujtojmë publikut se vetëm gjatë vitit 2014, janë arrestuar, proceduar penalisht dhe marrë masa administrative për mbi 11% të punonjësve të Policisë së Shtetit.  Ky është treguesi më i qartë se sot në Policinë e Shtetit nuk ka më të paprekshëm, ashtu siç tregon vullnetin tonë të qartë për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo punonjës policie që nuk zbaton ligjin.  Por kjo tregon edhe trashëgiminë skandaloze që la qeveria e kaluar në Policinë e Shtetit, kontribut për të cilin është shquar edhe lexuesi i deklaratës së sotme, si i vetmi ish i dënuar për korrupsion që sot flet edhe për dekriminalizimin e Kuvendit.”- thuhet në reagimin e Ministrisë së Brendshme.
“PD-ja mund të zgjedhë të bëjë politikë duke sulmuar Policinë e Shtetit, por do mbahet mend si e vetmja Parti që nuk dënon krimin, por ata që luftojnë krimin. Momenti për të korrigjuar, është gjithmonë. Ndaj i bëjmë thirrje PD-së të heq dorë nga pengimi i punës së Policisë së Shtetit dhe të rreshtohet në krah me ata që luftojnë krimin për të bërë më të sigurt vendin dhe jetën e qytetarëve.”- përfundon reagimi i MPB-së.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: