Anëtarë të Komisionit të Rithemelimit, por jo vetëm, kanë treguar ecurinë e procesit të zgjedhjeve të kryetarëve të rinj në të gjitha degët e vendit.

Deputetja Albana Vokshi tha se nga ky proces demokratët kanë dalë më të bashkuar dhe shtoi se zgjedhjet janë bërë në mënyrë demokratike dhe transparente.

“Nuk kemi rrjedhje, nuk ka përçarje. Kjo duhet përshëndetur. Falenderojmë ata që morën pjesë në një nga proceset më demokratike dhe transparente që ka ndodhur ndonjëherë në PD. Partia sot ka mbi 40 mijë anëtarë që kanë marrë pjesë në zgjedhje dhe nuk ka pasur rrjedhje apo përçarje. Kjo ka qenë ana më pozitive. Janë zhvilluar Kuvendet e degëve në thuajse të gjithë degët ku është zgjedhur kandidati. Aty janë caktuar delegatët. Numërimi ka qenë tejet transparent, interesi ka qenë i madh. Çdo gjë ka qenë e caktuar nga lart. Në të gjitha degët ka nisur procesi i votimit në orën 23:00 dhe ka mbaruar në 2-3 të mëngjesit. Po kështu edhe në degët e tjera. Sot mbyllet lista për në Kuvend dhe do të bëhet lista për Këshillin Kombëtar. Do të dalim në konferencë dhe do e themi”, tha Vokshi.

Vokshi sqaroi po ashtu pretendimet për degën 7 në kryeqytet, ku është thënë se kryetarët janë zgjedhur pa bërë fushatë dhe nuk njihen nga elektorati. Sipas Vokshit në këtë degë gara ka qenë e ngushtë, e kjo dëshmon se gara ka ekzistuar dhe cilësia ka qenë e lartë.

“Ka pasur në fillim 6 kandidatë, janë figura të njohura prej anëtarësisë. Kanë mbetur pas dorëheqjeve dhe ndërhyrjeve në Komision, ka qenë kryesia që ka propozuar kandidatët. Nuk është ndërhyrë nga Komisioni i Rithemelimit. Njoh kandidatët e degës 7. Të gjithë janë personalitete, të gjithë njihen. Rezultati ka qenë i ngushtë, kjo që do të thotë që kandidatët kanë marrë shumë vota. Kështu ka ndodhur në Tiranë, që gara është ndarë për 6 vota. Ka pasur konkurrencë. Edhe cilësia ka qenë shumë e lartë e kryetarëve të zgjedhur, të gjithë figura të nderuara. Të gjithë kryetarët janë zgjedhur me parimin një anëtar një votë. Një pjesë janë rizgjedhur sërish kryetar, ata kanë marrë votëbesimin e demokratëve”, sqaroi Vokshi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb