Kryeministri Edi Rama po kërkon të rinovojë një mandat 4-vjeçar në krye të Partisë Socialiste-forca më e madhe politike në Shqipëri- duke i dredhuar përfshirjes së tij në një proces zgjedhor. Justifikimi i tij për shkeljen e statutit të partisë gjen strehë tek modeli i laburistëve britanikë, por kjo tezë ka hasur në kundërshtimin e kritikëve të tij.

Sfidanti për kreun e Partisë Socialiste është Ben Blushi, një politikan i spikatur i së majtës që ndan me Ramën një marrëdhënieje të gjatë miqësie dhe rivaliteti. Ai ka shpallur kandidaturën e tij dhe kërkon me forcë një përballje me Ramën për kreun e Partisë Socialiste.

“Kjo parti e drejtuar nga Edi Rama në këto 3 vjet nuk ka demokraci, ka kryetarë banditë nëpër degë, ka njerëz nga shekulli i kaluar që kanë zaptuar jugun e vendit. Unë konkurroj se mendoj se e drejtoj partinë më mirë se Edi Rama,” tha Blushi në një intervistë televizive.

Por ndërsa një triumf i mundshëm i Blushit shihet me mosbesim brenda dhe jashtë Partisë Socialiste, fushata e tij ia ka dalë deri tani të njollosë kostumin politik të kryeministrit Rama për mënyrën se si ai po e drejton partinë.

Në një platformë të shkruar, Blushi ka identifikuar shkelje të statutit të Partisë në 14 nene të tij gjatë udhëheqjes së Ramës. Moslejimi i tij për të kandiduar është gjithashtu në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Përveçse një rival brenda partisë, Blushi ka qenë një kritik i ashpër i qeverisjes thuajse 3-vjeçare të Edi Ramës. Ai ka bërë përgjegjës kryeministrin për përfshirjen e një numri personash me rekorde kriminale në parti, ndërsa ka vënë në dyshim suksesin e reformave të trumbetuara nga qeveria.

Edi Rama u ngjit në krye të Partisë Socialiste në tetor të vitit 2005, pas disfatës që pësoi në zgjedhjet parlamentare ish-kryetari dhe kryeministri Fatos Nano. Rama mori një mandat të dytë 4-vjeçar në vitin 2009 –zgjedhjet e fundit të zhvilluara brenda Partisë Socialiste.

Statuti i PS përcaktonte zgjedhje në vitin 2013, por ato u shtynë për shkak të zgjedhjeve parlamentare që e ngjitën të majtën në pushtet dhe Edi Ramën në karrigen e kryeministrit.

Pas një zvarritjeje 2-vjeçare, Partia Socialiste çeli stinën e zgjedhjeve të brendshme, por pa përfshirë kryetarin. Ato pritet të kulmojnë në Kongresin e caktuar më datën 19 mars, pa mundur të shuajnë debatin për ligjshmërinë e vendimeve të Ramës në krye të partisë dhe nivelit e demokracisë së brendshme në këtë forcë politike.

Rivalë pa garë

Dy dekada pas rënies së komunizmit në Shqipëri, partitë politike nuk kanë arritur ende të shkëputen nga trashëgimia e vjetër, ku kulti i liderit është thuajse i padiskutueshëm në radhët e militantëve partiakë.

Megjithatë, në ndryshim nga Partia Demokratike e cila u drejtua me dorë të hekurt nga Sali Berisha për më shumë se 20 vjet, kampi i majtë krijoi një traditë të re të debatit të brendshëm dhe një panoramë më konkurruese mes figurave të spikatura të saj.

Edi Rama u ngjit në krye të PS edhe falë ekzistencës së demokracisë fluide brenda saj, por nën drejtimin e tij kjo traditë rrezikon të bëjë hapa mbrapa.

Analistët politikë e konsiderojnë legjitime sfidën e Ben Blushit, ndërsa debatin që ka përfshirë Partinë Socialiste e shohin si një debat për vlerën e demokracisë partiake në Shqipëri. Shmangia e Ramës nga zgjedhjet shihet gjithashtu me habi prej tyre, sa kohë që lidershipi i tij konsiderohet i parrezikuar.

Një disfatë e Ramës në përballjen me Ben Blushin konsiderohet thuajse e pamundur pas dy fitoreve të njëpasnjëshme të tij në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Shqipëri.

Gjithashtu, Rama ka fortifikuar pozitat brenda Partisë Socialiste përgjatë 11 viteve të drejtimit përmes përfshirjes së një numri të madh politikanësh të rinj në forumet drejtuese dhe mënjanimit të socialistëve të vjetër, të cilët nuk ia dedikojnë atij mbijetesën në politikë.

Skënder Minxhozi, analist dhe kryeredaktor i Javanews i tha BIRN se është detyrë e Partisë Socialiste të lejojë Blushin të kandidojë. Ai gjen pak arsye në përpjekjet për të shmangur garën, ku marrëdhënia personale mes Ramës dhe Blushit është njëra prej tyre.

“Duket që Rama po tenton të ruajë situatën e monokolorit në PS, duke shmangur rrezikun e franksioneve në të ardhmen,” tha Minxhozi.

Politologu Afrim Krasniqi mendon se shmangia e zgjedhjeve në PS është pjesë e transformimit të forcave politike shqiptare nga parti programore, në grupe interesash pa identitet dhe pa rregulla funksionimi. Ndaj edhe debati sipas tij është i dobishëm, edhe pse në aspektin e luftës së brendshme politike rrezikon të mos sjellë ndryshime.

“Ky fenomen negativ i deformimit të demokracisë partiake dhe demokracisë përfaqësuese është bërë tipar kryesor i pothuajse të gjitha partive në vend, përfshirë PS,” thotë Krasniqi.

Demokracia e brendshme

Debati për zgjedhjet në PS përfaqësohet nga dy linja; një shumicë funksionarësh ku spikasin ministrat e qeverisë në mbështetje të Ramës dhe një grusht deputetësh me në krye Blushin, të cilët kërkojnë respektimin e statutit dhe zhvillimin e një gare për kryetarin e partisë.

Ndërkohë, një grup pune është ngritur pranë kësaj partie për të përshtatur statutin ekzistues me tezën e Ramës-ku mandati i kryetarit rinovohet automatikisht me fitoren e partisë në zgjedhjet parlamentare.

Për Afrim Krasniqin, argumenti i referimit tek modeli britanik nuk ka vlerë reale sa kohë që statuti aktual parashikon zgjedhje periodike. Por ai shprehet i shokuar nga rreshtimi i ministrave në bllok pro tezës së kryeministrit dhe në injorim të rregullave të shkruara.

“I ngjan unitetit absurd revolucionar dje në Byrojë Politike apo më vonë në kryesinë e PD dhe partive të tjera,” thotë ai.

Skënder Minxhozi vëren gjithashtu një qasje të shtuar monopolite në Partinë Socialiste gjatë drejtimit të Ramës, ndonëse mendon se ajo vazhdon të jetë sërish më e hapur se e djathta në opozitë.

Për Minxhozin, demokracia e brendshme është një çështje që i kapërcen kufinjtë e partisë, pasi tregon edhe mënyrën se si qeveriset vendi.

“Mënyra se si drejtohen partitë është tregues i qeverisjes në rang kombëtar, kur këta liderë janë në pushtet apo marrin pushtetit,” tha Minxhozi.

Afrim Krasniqi nënvizon lojën e dyfishtë që bëjnë liderët shqiptarë në vazhdimësi; në opozitë ata pranojnë konkurrencën, premtojnë qeverisje në ekip dhe transparencë në vendime. Kur vijnë në pushtet-sipas Krasniqit bëjnë të kundërtën; zgjedhje formale ose i shmangin fare, duke u shndërruar në modelin e kryetarëve të përjetshëm.

Sipas tij, këta kryetarë vendosin më pas se kush do të jenë deputetë dhe cilët prej anëtarëve partiakë do të promovohen ministra. Kritikët, ose flaken nga partia, ose detyrohen të largohen për shkak të përjashtimit nga listat për deputetë.

Krasniqi e cilëson demokracinë e brendshme të partive si gjenezën e problemeve, ndaj edhe e cilëson me vlerë dhe me ndikim public debatin që ka përfshirë Partinë Socialiste.

“Nuk mund të ketë demokraci nga jashtë (në qeverisje dhe në jetën publike) kur partitë nuk janë demokratike nga brenda. Nuk mund të ketë ndarje e balancë pushteti nga jashtë (në qeverisje dhe në jetën publike) nëse nuk ka ndarje e balancë pushteti brenda vetë partisë,” përfundon Krasniqi.

(Aleksandra Bogdani/BIRN/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: