TIRANE- Rivendosja e tarifës në Rrugën e Kombit ka ngjallur sërish debat politik. Deputetë nga PD dhe LSI kanë reaguar në media, duke u shprehur se qeveria mund të përballet sërish me qëndrimin e qytetarëve. Por deputetja socialiste Klotilda Ferhati, në rubrikën “Opinion” në “News24”, tha se grupi i punës i ngritur për tarifat në Rrugën e Kombit ka arritur në disa rezultate, të cilat së pari do t’i nënshtrohen konsultimit publik.

Më pas, sipas Ferhatit do të bëhet edhe vendosja e tarifave dhe publikimi i tyre.

“Në vijim të diskutimeve me autoritetet lokale dhe banorë të qarkut Kukës, pavarësisht fasiliteteve që parashikonte kontrata, pati një nevojë për konsultim. Për shembull për banorët e zonës nuk do të kishte pagesë, por në këtë pjesë mungoi komunikimi. Mungesa e informacioni është përgjegjësi e vendorëve, pasi duhet të ishte bërë kjo transparencë. Tashmë është ngritur një grup pune për tarifat, fasilitetet, etj. Rezultatet e grupit të punës do të jenë në një proces konsultimi publik, para se të shpallen. Pasi të kalohet kjo fazë, do të publikohen edhe tarifat”, u shpreh Ferhati.

Deputetja socialiste, ndërkaq shprehu besimin për hapjen e negociatave në qershor për anëtarësim të Shqipërisë në BE. Ajo shtoi se klima politike në Shqipëri, dhe qëndrimi i opozitës, ndikojnë negativisht në këtë proces.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb