Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi z. Talat Xhaferi, me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ruçi shkruan se rizgjedhja e tij është tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në RMV.

Më tej Ruçi shprehet i bindur se shumë shpejt do të fillojë bashkëpunimi i Kuvendeve të dy vendeve teksa e fton Xhaferin për një vizitë në Shqipëri në të ardhmen.

“Me rastin e rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit tëRepublikës së Maqedonisë së Veriut, ju dërgoj urimet më të mira të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personale.

Rizgjedhja Juaj në këtë detyrë të lartë është një tregues i lidershipit tuaj të sprovuar, vizionar, të matur dhe të balancuar, gjatë katër viteve të legjislaturës së kaluar në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Rizgjedhja Juaj është gjithashtu një tregues i pjekurisë dhe emancipimit të elitës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe i përgjegjësive të saj për konsolidimin e demokracisë, ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe përshpejtimin e proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë së Veriut.

Shpreh bindjen se rritja dhe fuqizimi i përfaqësimit politik do t’í shërbejë përmirësimit të mirëqenies dhe nxitjes e zgjerimit të përfshirjes së shqiptarëve në të gjitha nivelet dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Jam gjithashtu i bindur se bashkëpunimi shumë i suksesshëm midis Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të rifillojë shumë shpejt dhe kam kënaqësinë t’ju ftoj për  një vizitë zyrtare në Shqipëri, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje edhe me agjendën tuaj.”, shkruhet në mesazhin e urimit që Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot z. Talat Xhaferi, me rastine rizgjedhjes Kryetar i Kuvendit tëMaqedonisë së Veriut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb