NGA ZONJA VJOLLCA*

300 gr. Fileto pule
200 gr. Kungull i verdhë
450 ml. Lëng pule
1 kokërr qepë
1 thelpi hudhër
160 gr. Oriz
Shafran
100 ml. Verë të bardhë
20 gr. Pekorino
2 lugë gjelle ajkë
Kripë, piper, majdanoz

Fillimisht marinojmë mishin e pulës, me kripë dhe piper. E lëmë pak në marinim dhe më pas vendosim tiganin në zjarr me 2 lugë gjelle vaj ulliri dhe skuqim mishin e pulës për 3-4 minuta në çdo anë. E largojmë mishin nga tigani dhe e lëmë të ftohet.

Qërojmë kungullin nga farërat dhe tulin e kalojmë në rende duke e grirë atë trashë. Përgatitim koncentratin e pulës me një tabletë Knorr dhe e lëmë të qëndrojë e ngrohtë. Grijmë qepën në kubikë ndërsa hudhrën e grijmë imët.

Në tiganin ku skuqëm mishin, kaurdisim qepët, derisa të zbutet dhe të bëhet transparente.
Shtojmë orizin dhe kungullin e grirë në rende duke i kaurdisur sëbashku për 1 minutë duke shtuar dhe shafranin.

Shuajmë orizin me verë të bardhë duke e lënë të valojë në ngrohje mesatare.

Shtojmë fillimisht 150 ml. lëng pule, dhe e trazojmë lehtë. E mbulojmë dhe sapo supa të përthithë lëngun, shtojmë përsëri 150 ml. të tjera e trazojmë dhe përsëri e mbulojmë kur të shohim që përthithet lëngu. Shtojmë pjesën që na ka mbetur dhe e lëmë të vazhdojë zierja, gjithsej 18-20 minuta derisa orizi të ziejë derisa të mbetet aldente.

Ndërkohë presim copat e pulës në kubikë dhe 5 minuta para mbarimit, I hedhim në tenxhere.
Grijmë imët pak majdanoz, djathin në rende, dhe 2 lugë gjelle ajkë i shtojmë në tenxhere duke i trazuar dhe në fund e shërbejmë të ngrohtë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb